10 shkurt 2010

Di Natale, “mbreti” i sulmuesve italianë

Një mesatare goli të tillë nuk e ka pasur kurrë. Në të gjithë karrierën e tij si futbollist profesionist nuk kishte arritur në muajin shkurt me kaq shumë gola të shënuar në kampionat. Me tregolëshin e realizuar të dielën, kundër Napolit, skuadra e qytetit të tij, tek e cila dukej se do të transferohej gjatë verës së kaluar, Toto di Natale është ngjitur në kuotën e 16 realizimeve, një më pak se rekordi personal që ka arritur dy sezone më parë në fundin e kampionatit. 16 gola në 19 ndeshje të luajtura, 16 gola në 26 të shënuar në total nga Udineze. Thelbësor për një skuadër që ndodhet afër vendeve të fundit në renditje. I vetëm po mban gjallë shpresat e bardhezinjve.
I vetëm falë ralizimeve të tij që me tregolëshin e të dielës, i dyti në këtë sezon pas atij kundër Katanias, ka shkuar në plus dy ndaj Diego Militos, me të cilin është në garë për titullin e golashënuesit më të mirë të Serisë A, që në Udine është fituar vetëm nga Oliver Birof dhe Amorozo. Në gjashtë sezone me bardhezinjtë, me përjashtim të Europës ku vazhdon të komandojë Soza, Di Natale ka rishkruar të gjitha rekordet e klubit friulan: 71 gola në Serinë A, 11 në Kupën e Italisë, 8 me fanellën e kombëtares. Shifra befasuese.
Një gjë e mirë për De Biazin, por edhe për Lipin, që e ka të pamundur, të paktën për momentin, me Iakuintën të dëmtuar, Tonin që duhet ringjallur dhe Del Pieron në krizë, të mos mbështetet te një sulmues si Antonio. Botërori ende s’ka filluar, por 31-vjeçari ka hedhur kandiaturën.