20 shkurt 2010

Çartet Forca

Situata e keqe, në të cilën gjendet Kosova e Vushtrrisë, i ka detyruar tifozët e kësaj skuadre, Forca, ta organizojnë një protestë të dielën kundër kryesisë së klubit.
Tifozët bardh e kaltër thonë se janë dy apo tre zyrtarë të klubit, të cilët po e degradojnë skuadrën në vend që ta çojnë atë më sa më lart, ashtu siç edhe i obligon kontrata në bazë të cilës e kanë marrë mbi supet e tyre menaxhimin e Kosovës (V).
Kryetari i këtij grupi të tifozëve, Shkëlzen Kajtazi, thotë se për Forcën është e papranueshme që të lirohen nga klubi lojtarët kritikë dhe në ekip të angazhohen futbollistë juniorë, plan ky të cilin po mendon ta zbatojë menaxhmenti i Kosovës (V).
“Kryesia e klubit nuk po i përmbahet kontratës në bazë të cilës janë të obliguar që Kosovën e Vushtrrisë ta çojnë përpara. Përkundrazi, kjo kryesi klubin tonë po e dërgon një ligë më poshtë. Kjo për ne tifozët dhe qytetarët e Vushtrrisë është e papranueshme, sepse qyteti jonë kaherë është mburrur me këtë klub”, deklaroi Kajtazi.
Andaj Kajtazi tha se Forca do të protestojë të dielën para lokaleve të stadiumit për ta penguar zbatimin e këtij plani të kryesisë së klubit, të cilin plan tifozët vushtrrias e quajnë qesharak.
“Janë dy – tre persona në kryesi, të cilët po e çojnë te poshtë klubin tonë të zemrës. Andaj mbi 300 tifozë do të protestojmë të dielën te lokalet e stadiumit dhe do të kërkojmë që ata individë të largohen nga klubi. Nuk duam që klubi ynë i zemrës të luajë me juniorë, sepse ka traditë në futbollin kosovar për të ardhur në këtë gjendje”, theksoi ai.
Megjithatë, Kajtazi tha se Forca është e gatshme që të ndalet vetëm me protestën e së dielës për të mos vazhduar edhe më tej me protesta, me kusht që zyrtarët e klubit t’i përmbahen kontratës.
“Nëse kryesia i përmbahet kontratës, le të vazhdojnë me punë për ta çuar Kosovën përpara. Nëse jo, atëherë duhet të largohen vetë ose do t’i largojmë ne. Klubi është i yni. Duam që kryesia t’i paguajë futbollistët siç duhet dhe mos t’u mbesë atyre borxh, me qëllim që ta çojmë Kosovën aty ku e ka vendin”, përfundoi Kajtazi.
Nënkryetari i klubit, Fadil Krasniqi të enjten ka treguar për G.J se Kosova (V) po planifikon t’i lirojë disa lojtarë, të cilët nuk kanë dhënë kontribut të duhur në stinorin vjeshtor, dhe ta ripërtërijë ekipin me lojtarë të rinj.