21 shkurt 2010

Behrami shënon në fitoren e West Hamit

Valon Behrami ka ndihmuar ekipin e tij West Ham United të shënojë fitore 3-0 në ndeshjen ndaj Hull Cityt në Upton Park, për të bërë edhe një hap të madh drejt mbijetesës në Ligën Premier.
Behrami ishte ai që i dha startin e përkryer ekipit vendas, duke shënuar golin e tij të dytë për klubin pas vetëm tre minutash lojë. Mysafirët u munduan të rikthehen në lojë por pësuan një goditje në minutën e 52-të kur Craig Fagan u dërgua jashtë loje me kartonin e dytë të verdhë.
West Ham shpejt më pas kaloi në epërsi me golin e Carlton Cole (59’), para se Julien Faubert të vulosë rezultatin në çastet e fundit të takimit.
Me këtë fitore West Hami zen pozitën e 13-të, ku më herët gjendej ekipi i Canës, Sunderland, që tash ka zbritur në pozitën e 14-të./