09 shkurt 2010

Bajern dhe Shalke, për të shmangur surprizat

Pretendentët për titull në Bundesligë do të ndeshen me ekipe nga kategoria e dytë, në Kupën e Gjermanisë
Lojtarët e Bajernit të Mynihut do të futen sot në fushë për të luajtur në Kupën e Gjermanisë, kundër skuadrës së kategorisë së dytë, Greuther Furth, me qëllimin që t’i tregojnë trajnerit të tyre, Luis van Gal, se nuk janë arrogantë në fushën e blertë. Trajneri holandez e ka përshkruar lojën e skuadrës së tij si arrogante, edhe pse Bajerni fitoi 3-1 kundër Volfsburgut në fundjavë. Mendimi i Van Galit nuk u mbështet nga lojtari Arjen Roben.
“Nuk më pëlqen fjala arrogante, sepse nënkupton që nuk kemi respekt për kundërshtarët. Ndoshta e humbëm pak përqendrimin, por janë gjëra që ndodhin.” Bajerni pritet të kualifikohet pa vështirësi në gjysmëfinale dhe Van Gal ka ndër mend të aktivizojë disa lojtarë të tjerë, që kanë luajtur më pak, si Anatolij Timoshuk, Miroslav Kloze dhe Kristian Lel.
Organizatori Frenk Riberi mund të luajë si titullar, pasi javët e fundit ka qenë shpesh në bankinë, duke qenë se Van Gal synon të ketë një skuadër të ekuilibruar, pas 11 fitoreve radhazi në të gjitha kompeticionet. Bajerni synon dy trofetë këtë sezon, ashtu si Shalke.
Kjo e fundit luan në transfertë në fushën e Osnabruk, që ka dëshmuar këtë sezon se nuk është një skuadër e lehtë për t’u mundur. Skuadra e kategorisë së tretë ka eliminuar Hamburgun dhe Borusian e Dortmundit në dy raundet e fundit dhe është skuadra më e dobët për nga renditja, që ende luan në Kupën e Gjermanisë këtë sezon. Kjo skuadër do të ketë epërsinë e fushës në tentativën e vet për të shkuar në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, për herë të parë në historinë e vet. Në gjysmëfinalen tjetër, Augsburgu i kategorisë së dytë do të tentojë të shkojë në finale duke mundur Këlnin.