11 shkurt 2011

Viali: Interi i fortë, por fiton “Zonja”

Ish-sulmuesi i Juves beson se bardhezinjtë do të dalin fitimtarë nga “Olimpiko”

“Do të flas me Lipin dhe do t’i shpjegoj se do të duhet të luajmë me skemën 4-3-1-2: unë dhe Vieri në sulm, Zidan më në fund mbrapa krahëve të mi, më pas Nedved. Në mbrojtje mund të luajmë me çfarëdo lojtarësh”. Xhianluka Viali e ka prezantuar kështu, në mënyrën e dij, derbin për bamirësi, që do të vërë përballë kampionët e vjetër të Juves dhe Torinos më 23 mars në stadiumin “Olimpik”.

Do të arbitrojë Rozeti dhe do të jenë nga njëra anë Takoni, Montero, Kabrini, Kauzio, Xhentile, Maroki, Pesoto, Vierkvud (të drejtuar nga Marçelo Lipi) dhe nga ana tjetër Zhunior, Graciani, Klaudio Sala, Martin Vaskez, Markexhiani, Ferrante (të drejtuar nga Emiliano Mondoniko, që ka pranuar pavarësisht problemeve që ka pasur kohët e fundit me shëndetin).

Qëllimi, natyrisht, është mbledhja e fondeve prej mbi 220 mijë euro për të financuar një nga projektet për gjetjen e një kure për sëmundjen SAA (Sklerozë Anësore Amiotrofike, një sëmundje që godet qelizat nervore dhe palcën e shtyllës kurrizore, që lejojnë lëvizjen e vullnetshme të muskulaturës).

Ndërkohë, Viali ka folur edhe për derbin e Italisë: “Besoj se Interi do të luajë më mirë, por Juvja, ndoshta me pak vështirësi, do të arrijë të fitojë. Suksesi në Kaljari i ka ridhënë moral skuadrës dhe është akoma e mundur të arrihet vendi i katërt.

Marota dhe Del Neri po punojnë mirë: viti i parë është gjithmonë ai më i vështiri, duhet të ketë durim. Matri? Më pëlqen, ka pasur një impakt pozitiv. Për sa i takon Del Pieros, e kam mik dhe jam i lumtur që është afër rinovimit. Por vetëm një vit dhe jo më shumë”, ka përfunduar ish-sulmuesi i Juves.