11 shkurt 2011

Derbi i Italisë, Zakeroni “voton” Juven!

Ish-trajneri i të dyja skuadrave sheh një sfidë të ekuilibruar, por thekson: Juvja ka lojtarë që s’tradhtojnë

Alberto Zakeroni i njeh mirë Interin dhe Juventusin, dy skuadra që i ka drejtuar në dy momente të ndryshme të karrierës së tij pa shumë fat. Trajneri aktual i Japonisë ka dashur të komentojë sfidën që do të luhet të dielën në mbrëmje në “Olimpiko”:

“Mund të ndodhë gjithçka. Interi është në rritje, është i fortë, por akoma nuk e ka shprehur të gjithë superioritetin e tij. Por Juvja është një skuadër e fortë, që mund të përmirësohet shumë. I njoh mirë lojtarët kryesorë të bardhezinjve: janë njerëz që nuk tradhëtojnë, - ka thënë Zakeroni. - Me Del Pieron, Melon, Kielinin, por edhe me Bufon, Markizio dhe Sisokon, flas shpesh.

Do t’i jem gjithmonë mirënjohës këtij grupi: më kanë dhënë gjithçka kanë mundur në atë moment. Por, për fat të keq dëmtimet nuk mbaronin kurrë… I vetmi zhgënjim që kam është se nuk e kam drejtuar si Juventusin ashtu edhe Interin nga fillimi i kampionatit.

Po, sepse aty ku e kam filluar punën nga vera, Udinezen dhe Milanin, gjërat kanë shkuar shumë mirë”. Trajneri romanjol po stërvit një sërë talentësh japonezë, që mund të ishin të përshtatshëm për skuadrat italiane: “Interi ka bërë mirë që ka blerë Nagatomon, Kagaua i Borusias së Dortmundit ka zgjuar interesimin e Realit të Madridit, - ka bërë të ditur Zak.

Nuk më pëlqen të përmend emra, por i jap një këshillë vëzhguesve italianë: ndiqeni kampionatin japonez, është i pasur me talente. Nuk kanë një fizik të madh, por teknikisht i ngjajnë brazilianëve. Por, të marrësh një japonez nuk është e lehtë: në vendin e tyre jetojnë dhe fitojnë shuma të larta. Kush shkon në Itali, si Nagatomo, e bën për të provuar veten në një kampionat të rëndësishëm”.