12 shkurt 2011

Shnajder: "Nëse fitojmë me Juventusin vendosim në presion Milanin për titull"

Kthehet të flasë holandezi Uesli Shnajder dhe këtë e ka bërë për mediat italiane në prag të derbit të Italisë. Trekuartisti i Interit dhe skuadrës kombëtare holandeze duket se po rikthehet në formën e tij më të mirë siç kishte treguar sezonin e shkuar: "Tani ndihem shumë mirë, pranon ai, nuk jam aspak larg nga forma ime më e mirë.

Natyrisht që, qëndrimi jashtë për një kohë kaq të gjatë ka qenë i vështirë. Më pas, kam menduar që në fund, pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm, nuk isha dhe aq keq. Kam pasur kohë në dispozicion për t'u rikuperuar dhe për t'u rikthyer në formën time. Isha shumë i lodhur. Tani jam me të vërtetë gati. Me Holandën kam shënuar një gol të madh, por gjëja më e rëndësishme ka qenë të arrija të luaja pa probleme.

Një test i rëndësishëm përpara ndeshjes së të dielës. Unë jam gati". Jo vetëm një Shnajder i rigjeneruar, por edhe një Inter që është rikthyer në formën më të mirë falë edhe kurës së brazilianit Leonardo: "Është shumë pozitiv. Është një trajner i zoti dhe një person simpatik. Di shumë mirë sesi të menaxhojë skuadrën, ashtu siç bënte edhe Murinjo. Asnjë nuk është i ngjashëm nga tjetri, por kur Leonardo ka ardhur tek Interi, kemi qenë të gjithë të lumtur". Të dielën, përballë do të jetë Juventusi: "Nëse fitojmë dhe vazhdojmë të fitojmë do të vendosim në presion Milanin dhe Napolin, që është ajo që ne duam.

Dhe në fund të shikojmë se kush do ta marrë titullin kampion. Kampionët jemi akoma ne". Fundi intervistës së tij i është dedikuar ish-trajnerit Rafa Benitez dhe polemikave që kanë dalë ditët e fundit: "Është gjithmonë shumë e lehtë të shprehësh mllef, pasi je larguar, dhe nuk është bukur. Ka qenë një periudhë e vështirë për Benitez dhe për ne, por nuk mund të thotë asgjë për stafin mjekësor dhe për presidentin Morati, që i ka dhënë mundësinë të punojë për Interin". /GRANDEJUVE/