12 shkurt 2011

Shnajder: Juve, jemi ende kampionët


Uesli Shnajder është rikthyer në formën optimale. “Letargjia” 50-ditore përfundoi dhe fantazisti ka shënuar tre gola në harkun e gjashtë ditëve me Interin dhe përfaqësuesen e Holandës. Pas qëndrimit të detyruar jashtë fushave, talenti, i cili ka qenë vendimtar për triumfet e kaluara të zikaltërve, tashmë kërkon të japë kontribut për sukseset e mëtejshme të skuadrës. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, 26-vjeçari ka deklaruar se kërkon të mposhtë Juventusin, në mënyrë që skuadra e drejtuar nga Leonardo të vazhdojë presionin ndaj Milanit kryesues.

Titulli i Serisë A është ende në fanellat e Interit dhe “tulipani” ka premtuar se trofeu do të qëndrojë te ngjyrat zikaltër edhe pas muajit maj. Ndërkohë, ai shprehet se është pranë formës më të mirë: “Ndiej se nuk jam larg 100 përqindëshit. Fakti që qëndrova larg fushave për një kohë kaq të gjatë nuk ishte i lehtë për mua, por mendova se pas një sezoni të gjatë, ky pushim ishte i nevojshëm për t’u rikthyer në nivelin më të lartë”. Lodhja kishte bërë që Shnajder të humbiste shkëlqimin: “Po, është e vërtetë. Por, tani jam kthyer. Me Kombëtaren realizova një gol të bukur, por gjëja më e rëndësishme është që nuk kisha asnjë problem.

Ishte një test i mirë për mua, përpara sfidës së të dielës, ku do të luajmë me Juventusin. Na pret një ndeshje e vështirë”. Fitorja në “Derbin e Italisë” është shumë e rëndësishme: “Kërkojmë të mposhtim Juventusin dhe të vazhdojmë ecurinë pozitive. Kjo është mjaft e rëndësishme për të mbajtur nën presion ekipet që ndodhet përpara nesh në tabelën e klasifikimit. Duam ta fitojmë sërish titullin dhe në maj do të bëjmë llogaritë. Gjithsesi, fakti qëndron se ne jemi ende kampionët”.

Më tej, Shnajder flet edhe për përballjen me Bajernin e Mynihut në Champions League: “Sfidat me Bajernin janë gjithmonë të vështira. Jemi gati. Edhe pse kemi humbur Samuel, Lusion dhe Militon, kemi fituar Pacinin dhe Karzhanë. Më vjen vërtet keq që Pacini nuk është në gjendje të luajë në Champions, megjithatë ai është shumë i rëndësishëm për ambiciet tona në kampionat”.

Në fund, vjen vlerësimi për trajnerin Leonardo dhe “shigjetimi” për Rafa Benitez: “Është një kënaqësi të punosh me Leon, i cili është një njeri simpatik dhe di si t’i menaxhojë situatat, ashtu si Murinjo. Benitez? Kur gjërat nuk shkojnë mirë, është e lehtë të ankohesh. Nuk ishte një moment i mirë për ne dhe për atë. Gaboi që kritikoi stafin teknik dhe nuk mund të thotë asgjë as për presidentin Morati, që na ka dhënë mundësinë të punojmë te Interi”.