12 shkurt 2011

Inter kujdes, Toni të ndëshkon gjithnjë

U ka shënuar më parë zikaltërve me Palermon, Fiorentinën e Romën: Të fitojmë dhe të luajmë për vendin e dytë

Vjen Interi. Ndeshja më e rëndësishme e popullit juventin, kthesa e mundshme e një sezoni të tërë. Përballë banda e Leonardos në ringritje të plotë: tre gola për ndeshje, shtatë fitore në tetë ndeshjet e fundit.

Ndërsa, nga ana e bardhezinjve një vend i tetë zhgënjyes në renditje dhe seria e rezultateve negative në 2011-ën: vetëm shtatë pikë, dy fitore, një barazim dhe katër humbje. Megjithatë në Vinovo asnjeri nuk është dorëzuar.

Ashtu si në Milano po përgatiten për një betejë të vërtetë sportive. Pak a shumë si në takimin e fazës së parë, kur bardhezinjtë, kundër çdo parashikimi, kanë marrë një barazim 0-0.

REKUPERIMET - Kuotacionet janë ngritur për shkak të një infermierie që po bashatiset më në fund. Juventusi ka rigjetur më shumë se një alternativë në role të ndryshme. Në veçanti në sulm, ku duhet regjistruar rekuperimi i plotë i Vinçenco Iakuintës. Pikërisht, në sulm është gati “artilieria e rëndë”.

Matri është i paprekshëm, Toni është në garë me Del Pieron për një fanellë si titullar. Del Neri ka detyrën që të vendosë se kë do të aktivizojë nga minuta e parë, edhe pse përshtypja është se kapiteni mund të jetë më i nevojshëm në vazhdim të ndeshjes, me ritmet e garës që do të jenë më të ngadalta, ideale për të nxjerrë në pah cilësinë e kampionit 36-vjeçar.

POKER FANELLASH - Gjithsesi, gjatë ndeshjes do të ketë nevojë për të gjithë sulmuesit. Atëherë Luka Toni do të mund të vihet në ndjekje të një rekordi shumë të veçantë: t’i shënojë Interit me katër fanella të ndryshme. Në fakt, ia ka dalë në kohën kur luante me Palermon, Fiorentinën dhe Romën.

Më 18 shtator të 2004-ës ka fiksuar shifrat 1-1 në “San Siro” me Palermon, më pas tre gola me fanellën vjollcë në sezonin 2006/07, edhe pse dygolëshi në Firence dhe goli në Milano nuk kanë shmangur dy humbje: 2-3 dhe 1-3.

Ndërsa, ka pasur një peshë më të madhe vitin e kaluar goli që i ka dhuruar fitoren 2-1 Romës kundër Interit. Luhej java e 31-të dhe verdhekuqtë kanë shkuar vetëm një pikë larg zikaltërve kryesues.

Dy javë më vonë ka ardhur edhe parakalimi, por para “vetëvrasjes” në “Olimpiko” kundër Sampdorias (së Del Nerit), që ka “neutralizuar” golin dhe ëndrrat e Tonit, sipas të cilit, ndeshja e nesërme mund të jetë vendimtare për sezonin bardhezi:

“Të mundim Interin dhe më pas të luajmë për vendin e dytë. Do të ishte bukur të mos pësonim gola, një do ta bëjmë…”. Titulli, me përjashtim të ndonjë surprize, nuk do të vijë as në këtë sezon, por një gol që vlen tri pikë të dielën mund ta afrojë Juventusin me Championsin, të ringrejë një ambient të tërë dhe të hedhë bazat për një sezon të madh vitin e ardhshëm, ku bardhezinjtë duhet të synojnë objektivin maksimal.