03 shkurt 2011

Pirlo, Aleks & Co janë të lirë për t’u larguar

Shumë emra të mëdhenj të ekipeve italiane janë drejt skadencës së kontratës dhe mund të ndryshojnë ekip

Fundi i merkatos dimërore dhe fillimi i muajit të shkurtit prezanton një kryqëzim të rëndësishëm për të gjithë lojtarët, kontrata e të cilëve skadon në qershorin e ardhshëm, dhe që nuk kanë rinovuar akoma me klubet respektive.

Që nga ky moment, janë të lirë të firmosin me ekipe të tjera, për sezonet e ardhshme, lojtarë të kalibrit të lartë si Pirlo, Del Piero, Sedorf, Nesta, Ambrozini, Mekses, Di Vaio, Santana. Një tufë me lojtarë të shkëlqyer, por edhe me pagesa të larta, por që përfshihen nga situata të ndryshme.

Më e komplikuar është ajo e Milanit, që siç dihet, ka fiksuar prej kohësh në qershor 2011, një takim për rinovimin e përgjithshëm të skuadrës aktuale, teksa synon një reduktim të rëndësishëm të shpenzimeve. Veç atyre të sipërpërmendurve, janë drejt skadencës edhe Pipo Inzagi, Jankulovski dhe 2 të sapoardhurit Van Bomel dhe Legrotalje.

Juventusi, siç është përmendur, ka përpara rinovimin e Alesandro del Pieros: do të ishte e jashtëzakonshme të mos e shohësh atë, në fillim të sezonit të ardhshëm në stadiumin e bardhezinjve. Në Torino duhet të kuptohet edhe e ardhmja e Maninger dhe Salihamixhiç.

Të tjerë lojtarë të rëndësishëm, edhe pse në disa raste paksa të vjetëruar, që po presin njoftime nga drejtuesit e klubeve aktuale janë Perrota dhe Kaseti të Romës, një nuhatës i madh i zonave të rreptësisë si Hernan Krespo, tek Fiorentina presin Donadel dhe Komoto, Napoli do të vendosë për Paciencën, i cili ka rënë dakort me Xhenoan, sikurse dhe sampdoriani Zigler me Lacion.