03 shkurt 2011

Frikë për Legrotaljen, akuza ndaj Kozak

Dëmtimet e frikshme ndaj ish-juventinit dhe Bonerës, i faturohen ndërhyrjeve të rezikshme të çekut

Nëse do të ishte vetëm goditja e shtyllave, ai kalim i habitshëm i topit nga njëra shtyllë e portës së Muslerës tek tjetra, do të shkonte gjithçka mirë. E keqja vjen më pas. Bëhet fjalë për Daniele Bonerën, i cili sapo u rikthye përpara pak ditësh, përfundoi sërish në spital.

Por edhe Nikola Legrotalje, i sapoardhur në ekip dhe sërish ka përfunduar jashtë fushës, me një plagë në kokë, pas 38 minutash të një jete të re milaniste. Fati i keq është edhe tek lista e të dëmtuarve, 14 lojtarë, i cili shënon një rekord edhe në një sezon si ky i sivjetmi, problematik për shumë ekipe.

Administratori i deleguar, Galiani, është shprehur i shqetësuar që prej javës së kaluar. “Është e vërtetë, të dëmtuarit janë të shumtë. Kam folur me stafin teknik, duke pritur një deklaratë nga mjekët, por unë e kam një shpjegim; luhet shumë (si sasi) dhe me shpejtësi.

Duhet të stërviten në mënyrë intensive dhe çmimi që paguhet është ky; shumë dëmtime muskulare.” Një deklaratë e ekuilibruar, një këndvështrim i përgjithshëm, por ajo që ndodhi të martën në mbrëmje është shumë më e ndryshme. Është e vërtetë që flitet për një Galiani, i cili doli nga “San Siro” shumë i irrituar për sjelljen dhe lojën e rrezikshme nga Kozak.

Të martën pamë koka të fashuara dhe shumë ndërhyrje të barrelave. “San Siro” ishte një fushë beteje, teksa përdorimi i muskujve në futbollin bashkëkohor ka pak ndikim. Bonera, mes dhimbjesh, është transportuar për në spitalin “Niguarda”. Mori një brryl në mollzat e fytyrës, ishte në një situatë konfuze, nuk na shihte më (kreu edhe vizitat specifike për sytë).

U desh t’i bënin një “Tac”, proçedurë e përshtatshme kur ka një traumë në kafkën e kokës. Rezultati? Negativ, mollzat nuk kishin dëmtime, por shqetësimi mbetet, gjithashtu vazhdon ende edhe shqetësimi për dëmtimet e vazhdueshme të një lojtari, që nuk ndihmohet as nga fati. Legrotalje e përfundoi natën e parë si milanist në “San Rafaele”, me një traumë në zverk.

“Na vjen shumë keq, por Kozak nuk e bëri me dashje. Thjesht nuk u tregua i shkathët për të larguar këmbën,” e ka justifikuar Reja. Antonini në të kundërt e akuzon: “Përdori shpesh herë takat dhe vetëm arbitri nuk arriti ta kuptonte.” Legrotalje duhej të ishte prezantuar zyrtarisht dje në Milanelo, sëbashku me Didak Vilà.

Prezantimi u shty për një moment më të vonshëm. Ndërkohë Libor Kozak kërkon falje publikisht: “Nuk e bëra me qëllim atë ndërhyrje. Fola në telefon me Lgrotaljen dhe më tha që të mos shqetësohem, sepse janë gjëra që ndodhin në futboll”.