14 shkurt 2011

Moratti: Juventus? Shumë të pafat

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, iu rikthye humbjes ndaj Juventusit, duke theksuar se trajneri nuk pati asnjë faj, pasi me përjashtim të golit, gjithçka u bë në mënyrën e duhur.

”A duhet të arkivojmë këtë humbje? Nuk ka asgjë për të arkivuar, pasi është më mirë ta kujtojmë këtë disfatë, edhe për shkak të pjesës së saj pozitive. Në pjesën e dytë, skuadra bëri gjithçka që mundej”, deklaroi numri një i zikaltërve.

”Juventusi u tregua i aftë, na vendosi në vështirësi taktike, por rezultati nuk do të kishte qenë i tillë nëse do të ishin realizuar disa prej rasteve shumë të pastra që krijuam. Mendoj se kjo ishte një mbrëmje veçanërisht e pafat për ne”.

Kampionët e Europës në fuqi do të rikuperojnë ndeshjen e prapambetur të kampionatit me Fiorentinën ditën e mërkurë dhe Moratti shtoi: “Momenti i së vërtetës është në çdo ndeshje.

10-15 ndeshjet e ardhshme do të përcaktojnë sezonin. Është e qartë që ne vazhdojmë të besojmë ende tek të gjithë objektivat që i vendosëm vetes në fillimin e sezonit, midis të cilëve edhe tek titulli kampion”.