13 shkurt 2011

Morati: "Nuk ka baza për t'i rikthyer titullin Juventusit"

Milano (Itali)- Pak orë përpara derbit të Italisë, që është e vlefshme për javën e 25-të të Serisë A, ka folur presidenti Masimo Morati. Presidenti zikaltër, duke komentuar ndeshjen e madhe që do të zhvillohet të dielën në mbrëmje në Olimpiko të Torinos, ka pranuar: "Futbolli italian është i ndërtuar me një rivalitet ndërmjet Juventusit dhe Interit, rivalitet sportiv që publiku kërkon ta dërgojë përtej sportit.

Unë jetoj akoma periudhën e babait tim, kujtoj shumë mirë çështjen e famshme të vitit 1961 (Interi në fushën e lojës me të rinjtë kundër Juventusit për të protestuar kundër Federatës italiane të futbollit që drejtohej nga Umberto Anjeli). Si drejtues duhet të qëndrojmë të kujdesshëm në mënyrë që rivaliteti ndërmjet dy skuadrave të mos kalojë asnjëherë kufijtë e sportit". Një ndeshje që gjithmonë në prag të saj detyrimisht bën të flitet shumë për Calciopolin, një çështje shumë e nxehtë:

"Calciopoli, vazhdon më tej Morati, ka qenë një çështje shumë e rëndë". Por presidenti zikaltër kërkon menjëherë të mbajë të qetë klimën pavarësisht se priten reagime kundër tij: "Fraza ime për presidentin Anjeli ka qenë vetëm një batutë momentale. E vlerësoj dhe e respektoj shumë Andrean, e njoh shumë mirë që në kohën kur ishte një fëmijë, jam shumë i sigurtë që do të bëjë gjithçka për ta rikthyer Juventusin në majat më të larta të renditjes". Në fund vjen dhe fraza pikante, një sqarim sipas tij:

"Titulli kampion 2006?

Nuk mendoj se ekziston as baza më e vogël për t'ia rikthyer atë titull kampion përsëri Juventusit".