13 shkurt 2011

Bufon: "Dua të fitoj një tjetër titull me Juventusin"

Torino (Itali) - Juventus-Inter do të jetë edhe ndeshja e parë e madhe e Xhianluixhi Bufon pas dëmtimit dhe pas rikthimit në fushën e lojës. Të mërkurën në Dortmund kundër Gjermanisë portieri bardhezi, pasi kishte marrë disa kritika nga ndeshja e javës së shkuar në Kaljari, është dukur përsëri në një nivel shumë të lartë. Duke folur për gazetën italiane 'Corriere dello Sport', Xhixhi ka analizuar momentin e tij të formës dhe nuk ka asnjë shqetësim të flasë për karrierën e tij, mbi të gjitha të ardhmen e tij, se ku dëshiron të arrijë.

"Nuk jam kthyer akoma Bufoni i vërtetë, në ndeshjet e para kam pasur ndonjë situatë edhe ku mund të kem gabuar. Më përpara këto gabime të vogla nuk do të ishin kthyer në një çështje të vërtetë, por tashmë është normale që të krijojnë zhurmë. Kur kam qëndruar jashtë kam vuajtur, por falë ndihmës së familjes dhe miqve të mi nuk e kam humbur besimin. Për të mos folur për tifozët, që më kanë treguar një dashuri dhe mbështetje të madhe.

Ku mund të mbërrijë ky Juventus?

Objektivi jonë është zona Champions Ligë. Për titullin kampion shikoj akoma favorit Milanin, edhe se Interi mund të mundë çdo lloj kundërshtari që ka përpara. Por, ndërkohë të dielën në mbrëmje do të kërkojmë t'i mundim për të dhënë një sinjal dhe një gëzim të madh tek tifozët tanë që janë specialë.

Calciopoli?

Është një gjë që ka tronditur futbollin, do të flitet për këtë edhe pas njëzet viteve. Ndeshja me Interin ka pasur gjithmonë një shije të veçantë, akoma edhe më shumë pas asaj që ka ndodhur në Calciopoli".

Por ky Juventus do të kthehet herët a vonë një skuadër për kreun e renditjes?

"Nuk duhet ta them unë, por duke parë mënyrën sesi është duke lëvizur shoqëria, mendoj se po. Do të më pëlqente të fitoja një tjetër titull kampion me këtë fanelë.

Skuadra kombëtare?

E kam thënë gjithmonë dhe e përsëris. Kur nuk do të luaj më në skuadrën kombëtare do të var këpucët në gozhdë njëherë e mirë. Por kam si objektiv të marrë pjesë përsëri në një botëror dhe në një europian. Brezi i ri i portierëve që është në Itali është shumë i besueshëm.

E ardhmja?

Nuk e di akoma se çfarë do të bëj, pasi të ndalem së luajturi, mbase trajner i një skuadre kombëtare. Por jo detyrimisht për Italinë, do të më pëlqente të drejtoja kombëtare si Kina ose Amerika".