08 shkurt 2011

Morati: Juve-Inter, derbi i vërtetë i Italisë

Presidenti beson se zikaltrit do të zhvillojnë një tjetër ndeshje të madhe me bardhezinjtë

Masimo Morati po shijon rekuperimin e Interit të tij ndaj Milanit: “Eshtë një kampionat shumë i gjallë dhe fatmirësisht ne jemi rikthyer në rrugën e duhur, - ka thënë presidenti zikaltër pas fitores me Romën. - Gjithsesi, tani do të shohim, është akoma herët…”.

Të dielën është Juventusi: “Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne dhe për ata. Ka qenë gjithmonë derbi i Italisë dhe kjo etiketë do të mbetet”. Morati, më pas ka uruar që në aksin Torino-Milano, në këto ditë, të flitet vetëm për futboll.

“Juve-Inter apo Inter-Juve janë gjithnjë ndeshje të rëndësishme dhe me tension. Eshtë e rëndësishme që gjithëçka të shkojë mirë në aspektin e qetësisë dhe sportivitetit. Unë shpresoj që të ndodhë kështu, sinqerisht”. Interi do të përgatitet për një cikël të hekurt.

Kalendari parashikon përballjet me Juventusin, Fiorentinën, Kaljarin dhe më pas Bajernin e Mynihut. “Çdo muaj flitet për momentin vendimtar, - ka vazhduar numri një i zikaltërve. - Besoj se të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, nuk mund të humbasim ndeshje në disa momente dhe më pas t’i rekuperojmë.

Duhet të përpiqemi të bëjmë gjithmonë mirë, ky është një moment i rëndësishëm pa dyshim sepse do të rikthehet edhe Championsi”. Masimiliano Alegri ka thënë se gjithmonë është më mirë të qëndrosh para, por presidenti i Interit nuk ka qenë dakord:

“Eshtë një ndjesi e re, por ndoshta edhe më argëtuese të jesh në rolin e ndjekësit, besoj se për tifozët është një gjë e bukur të përjetojë këtë rekuperim”. Fitorja 5-3 kundër verdhekuqve ka entuziazmuar tifozët: “Ka qenë një ndeshje e bukur, besoj se tifozët janë të kënaqur, ndoshta kemi vuajtur më shumë se ç’duhet në fund, por kjo kontribuon në pasionin e futbollit.

Kam vënë re se ka një entuziazëm të madh dhe kjo më pëlqen. Ka qenë një ndeshje shumë e bukur, jam argëtuar shumë, nuk ka qenë e lehtë të mundej Roma, por të gjithë kanë luajtur mirë, edhe blerjet e reja. Dhe duhet t’i bëj komplimentat Hulio Sezarit që është një kampion i madh”.

Tani e ka radhën sfida e tensionit të lartë me Juventusin: “E rëndësishme është që gjithçka të shkojë mirë në aspektin e sportit. E dimë se është një ndeshje e rëndësishme për ata dhe për ne. A është akoma derbi i Italisë pas “Calciopoli”-t? Gjithmonë do të jetë derbi i Italisë”, ka thënë Morati.