08 shkurt 2011

Marota kërkon ndershmëri për “Calciopoli”-n

Drejtori i përgjithshëm bardhezi ndez sfidën ndaj Interit: Jemi gjithnjë gati të përballemi

Juventus-Inter do të luhet të dielën në fushë, ndërkohë jashtë saj duket se lufta ka filluar para kohe. “Interi që do të kemi përballë është ambicioz, i fortë dhe me dëshirën për t’u ngjitur lart. Është një skenar që e kemi parë shpesh kohët e fundit, gjithsesi Juventus është i gatshëm për ta përballuar në mënyrën më të mirë të mundshme “, - deklaroi Bepe Marota.

Ndërkohë për çeshtjen rreth titullit të 2006-ës ai u shpreh: “Kemi besim, por presim përgjigje të pastër. Kemi paraqitur një ekspoze shumë të detajuar dhe kërkojmë ndershmëri”. Bardhezinjtë morën një fitore të rëndësishme në Kaljari, ndërkohë që zikaltrit thyen 5-3 e Romën duke shkuar 5 pikë larg nga kryesuesit e Milanit, kur dihet se kanë edhe një ndeshje më pak për të luajtur.

Duket se derbi i Italisë po paraprihet nga “i ftohti” në dy frontet respektivë. “Jemi të sigurtë se ndeshja do të përballohet me korrektësi të madhe nga ana e lojtarëve, nga drejtuesit, por pse jo edhe nga ana e dy tifozerive. Me ata ka ndodhur një metamorfozë e çuditshme teksa tashmë ekipi i tyre ka ndryshuar nga ai i Benitezit.

Për të qënë korrekt nuk dua të ndërhyj në këtë ndryshim, por mendoj që Interi tashmë është një barrë e rëndë që Milani duhet të lërë pas në garën për titull. Kjo skuadër po ecën me ritme të larta, teksa ka gjetur fillin e rezultateve pozitive, që kanë qetësuar disi një fillim jo të mbarë të këtij sezoni”, -nënvizoi më tej Marota duke folur për kundërshtarët.

Bardhezinjtë janë të bindur se do të hyjnë në histori teksa janë duke ndërtuar një stadium që do të jetë pronë e tyre, rasti i parë për një ekip italian. “Do të jetë shtëpia e Juventusit ajo që do të na sjellë siguri dhe vazhdimësi. Një projekt i mrekullueshëm për të cilin kemi investuar shumë dhe frytet e të cilit do t’i marrim në të ardhmen, duke ditur se shpenzimet janë të paimagjinueshme.

Flas për dhjetra milionë euro”. Ndërkohë Marota iu rikthye diskutimeve rreth ekipit: “Kohët e fundit kemi qënë shumë të pafat duke humbur 3 sulmues në 7 ditë. Të paktën ardhja e Matrit në ekip i ka dhënë frymë sulmit. Mendoj që ky lojtar është ndër më të rëndësishmit e brezit të lojtarëve të rinj të Italisë së bashku me Pacinin.

Jemi të lumtur që e kemi në ekip. Këtë sezon ka shënuar plot 13 gola për Kaljarin dhe Juven”. Matri erdhi tek Juvja falë Amaurit dhe për këtë Marota vazhdon: “Amauri ishte në një fazë të karrierës, në të cilën nuk po jepte rendimentin e duhur.

Kishte 8 ndeshje që nuk luante me Juventusin ndërkohë nuk shënonte që prej shkurtit të kaluar. Gjithsesi lëvizja e tij drejt Parmës ishte më e drejta që duhej bërë, prandaj jemi të lumtur për të dy palët. U munduam të gjenim një zëvendësues për rolin e tij dhe ia arritëm me Matrin.”