17 shkurt 2011

Matri në gjurmët e Inzagit dhe Trezegesë

Sulmuesi i ri bardhezi ka shënuar tre gola në tri ndeshje: më mirë se Pipo dhe njësoj si David

Pipo Inzagi shkoi te Juventusi në 24 vjeç dhe me një titull si kryegolashënues të siguruar: për të shënuar tre gola në Serinë A me fanellën bardhezi iu deshën 4 ndeshje. David Trezege zbarkoi në Torino 23 vjeç dhe me titullin e kampionit të Europës të fituar me Francën kundër Italisë falë “Golden Golit” të tij: në Serinë A e ka shënuar golin e tretë në ndeshjen e tretë.

Alesandro Matri e ka veshur fanellën e Juventusit në moshën 26 vjeç dhe ishte një zgjedhje e dytë pas transferimit të Pacinit tek Interi: në tri ndeshje ka shënuar tre gola, ashtu si David (të cilit i janë dashur 24 minuta më pak) dhe më mirë se Pipo (por duke marrë parasysh edhe Kupën e Italisë ka shënuar 3 gola në dy ndeshjet e para me Juven).

PIPO DHE DAVID - E vështirë dhe argëtuese, loja e krahasimeve. Që lind nga nevoja thuajse fizike për të pasur një qendërsulmues, një shpresë fitoreje të vendosur në mesfushën e kundërshtarit. Gjatë ndeshjes me Udinezen të 30 janarit tifozët ultras thirrën në kor:

“Dikush të shënojë një gol”. Dhe në çdo ndeshje Alesandro mund të luajë me një qendërsulmues tjetër ose me një sulmues të dytë: dhe kjo i pëlqen Prandelit. Më pas nuk mungon asnjëherë kori në kujtim të David Trezege.

Me francezin Matri ka të përbashkët cilësitë akrobatike: arrin të koordinohet shumë shpejt, gjuan fluturimthi me të djathtën dhe me të majtën dhe është i aftë edhe me kokë. Ndërsa, me Inzagin ka të përbashkët aftësinë për t’iu shmangur markimit, aftësinë për t’u zhdukur nga radari i mbrojtësve.

Vetëm ata që nuk kuptojnë nga futbolli mendojnë se kur një sulmues shënon shumë afër portës është çështje fati dhe jo meritë e tij. Dhe Inzagi, që e njeh shumë mirë futbollin dhe sulmuesit, vlerëson cilësitë e Matrit: “Alesandro ka cilësi shumë të mira, më pëlqejnë tipat si ai dhe si Paloski: është një djalë që flet pak dhe shënon shumë.

Midis cilësive të tij është edhe përulësia dhe i uroj të shënoj shumë gola”. Inzagi e mbylli aventurën me bardhezinjtë në kuotën e 89 golave: rruga e Matrit është e gjatë, por edhe shumë stimuluese.

LEÇE - Ndërkohë, ka ardhur një lajm i mirë nga testet, të cilave i është nënshtruar menjëherë pas ndeshjes me Interin: “Radiografia dhe ekografia, - bëri të ditur klubi bardhezi, -kanë treguar se bëhej fjalë vetëm për një goditje në brinjë dhe lojtari do të rekuperohet brenda javës”.

Domethënë, kundër Leçes Matri do të luajë dhe do të kërkojë golin e katërt në fushën që më 17 dhjetor të 2000-s Inzagi dhe Trezege shënuan të dy: Juventusi fitoi 4-1 dhe pasimet për të dy sulmuesit erdhën nga një lojtar me emrin Zinedin Zidane.

Tani Zizu nuk është, por deri tani Alesandros municionet nuk i kanë munguar kurrë: shënoi tre gola, me pak fat dhe saktësi më të madhe mund ishin 6. Eshtë shpejt për të folur që tani për formacionin e së dielës, por mundet që në Leçe Del Neri t’u besojë sërish Tonit dhe Matrit.

Alesandro gjithsesi mund të luajë pa problem edhe me Del Pieron dhe pikërisht aftësia e tij për të luajtur bashkë me një sulmues të dytë ose një qendërsulmues tjetër e bëjnë atë shumë të çmueshëm për kombëtaren e Italisë.