15 shkurt 2011

Matri: Goli më i rëndësishëm i karrierës sime

Sulmuesi i Juventusit ka shprehur gëzimin e tij pas fitores me zikaltërit në Torino

A e kupton se çfarë ke bërë Alesandro? Ai nuk ka qenë një gol. Ka qenë një britmë çliruese, një deklaratë dashurie, një shfaqje krenarie, një orgazëm bardhezi. Ka qenë një goditje me kokë që ka dhuruar lumturi, që ka larguar retë, që ka entuziazmuar tifozët në natën më të shumëpritur kundër rivalit më të urryer.

Hulio Sezar ka qëndruar në vend sepse ajo goditje e Alesandro Matrit ka qenë një verdikt, një prezantim zyrtar: “Ç’keni, unë jam sulmuesi i Juves. Detyra ime është të shënoj”. Eshtë shpejt për të thënë tani nëse Matri do të jetë ai që për shumë vite ka qenë David Trezege: por rruga është ajo e duhura, një rrugë e mbushur me gola dhe emocione.

FRIKE - Në pjesën e dytë Alesandro Matri ka shkuar shumë afër dy golave të tjerë dhe është dëmtuar: një goditje në brinjë që e ka detyruar të shkojë në spital menjëherë pas ndeshjes, duke shqetësuar klubin bardhezi.

Sulmuesi, pas analizave, që u është nënshturar ka bërë që juventinët të mund të marrin frymë lirisht. Goditja e marrë kundër Interit të dielën në mbrëmje nuk ka qenë serioze dhe lojtari do të rekuperohet brenda javës. Kështu, ish-sulmuesi i Kaljarit mund të jetë gati për ndeshjen e radhës kundër Leçes të dielën e ardhshme.

GOL ENDRRASH - Në fundin e ndeshjes, para se të shkonte në spital, Alesandro ka rrëfyer gëzimin e tij: “Ka qenë një nga golat më të rëndësishëm të karrierës sime: kundër Interit ishte ndeshja e parë e “bukur”, e atyre që shikoja nga shtëpia duke ëndërruar që një ditë protagonisti të isha unë.

Nuk e prisja një nisje të tillë, por shpresoja sepse kam besuar gjithmonë në aftësitë e mia. Kur luan te një skuadër e madhe duhet të punosh dyfish dhe unë do ta bëj çdo ditë”, ka thënë sulmuesi i Juventusit. Tani shpresojnë që ai të mos ndalet më.

GJITHÇKA PER JUVEN - Matri ka qenë finalizuesi perfekt i manovrës së Juventusit, por të gjithë lojtarët kanë qenë protagonistë. Xhiorxhio Kielini është simboli i një skuadre që ka rigjetur formën fizike për t’u vënë në ndjekje të vendit të katërt: “Kishte një vit e gjysmë që nuk përjetonim një moment kaq të bukur: ka qenë 5 dhjetori i 2009-ës, gjithmonë në Torino kundër Interit. Më pas kanë rifilluar problemet tona, ndërsa tani kjo fitore duhet të jetë kthesa jonë.

Objektivi është Liga e Kampionëve, duhet të vazhdojmë kështu duke ndihmuar njëri-tjetrin siç kemi bërë kundër Interit, - ka thënë Kielini, që të dielën ka festuar ndeshjen e tij numër 200 me Juven dhe ajo kundër zikaltërve ka qenë fitorja numër 150 në karrierë.

- Eshtë një sinjal shumë i rëndësishëm fakti që nuk kemi pësuar gol: në çerekorëshin e fundit ishim me dhjetë lojtarë sepse Matri ka qenë i dëmtuar. Kami gabuar në disa raste dhe kemi rrezikuar, por fitorja ka qenë e merituar dhe rezultati mund të kishte qenë më i thellë. Unë jap gjithçka për Juven dhe për këtë arsye jam i gatshëm të sakrifikohem në krahun e majtë të mbrojtjes përderisa rezultatet janë pozitive”.