15 shkurt 2011

Del Neri polemizon me Leon: Fitore e merituar

Xhixhi Del Neri ka konfirmuar traditën e tij të favorshme kundër Interit dhe ka siguruar tri pikë shumë të rëndësishme që kanë ringritur Juventusin në kampionat. Trajnerit i ka pëlqyer mbi të gjitha shpirti i sakrificës i lojtarëve të tij:

“Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, e dimë se nuk do të jetë e lehtë, por do të kërkojmë gjithmonë të japim maksimumin. Sigurisht, skuadra po i meriton rezultatet që po merr: nëse mentaliteti është ky, kam besim, - ka pranuar Del Neri. - Interi?

E kam mundur me Kievon, me Atalantën dhe me Sampdorian, por tani nuk do të thonë se jam një trajner i denjë për një skuadër provinciale. Gjithsesi, krenaria ime është të drejtoj Juven: dua të bëj maksimumin për klubin dhe tifozët.

Fitore e merituar, nuk e kuptoj se si Leonardo ka thënë që barazimi ishte rezultati më i drejtë. Ne nuk na është dhënë edhe një penallti e dukshme. Dhe në fundin e ndeshjes, kur Interi ka sulmuar, ndoshta nuk e ka kuptuar se ishim me dhjetë lojtarë”.