07 shkurt 2011

Marrota: "Juventusi është gati për të mundur Interin"

Juventus-Inter do të luhet të dielën në fushën e lojës, por edhe jashtë fushës së lojës po zhvillohet një betejë e fortë. "Interi që do të kemi përballë është një skuadër ambicioze, e fortë dhe me shumë dëshirë për të kryer një ndeshje të madhe.

Është një këmbanë që e kemi dëgjuar të bjerë, por Juventusi është e përgatitur për ta përballuar në mënyrën më të mirë", është shprehur drejtori përgjithshëm bardhezi, Bepe Marrota. Mbi titullin kampion që i është hequr në vitin 2006 bardhezinjve dhe është në gjykatë mbi një rikthim të mundshëm ai shprehet: "Kemi shumë besim, por presim përgjigje të qarta.

Kemi depozituar një kërkesë shumë mirë të detajuar dhe kërkojmë drejtësi dhe menjëherë". Bardhezinjtë kanë arritur një fitore të madhe në fushën e Kaljarit, zikaltërit kanë mundur Romën, duke arritur në -5 nga Milani kryesues me një ndeshje ende për t'u rikuperuar.

Derbi i Italisë, në këtë mënyrë, parashikohet të jetë shumë i nxehtë. "Jemi të sigurtë që ndeshja do të përballohet me një korrektësi të madhe nga lojtarët, nga shoqëria dhe unë uroj që kjo të ndodhë edhe ndërmjet tifozëve. Metamorfoza e tyre ka qenë shumë e çuditshme, duket një skuadër krejtësisht e ndryshme kjo aktuale nga ajo e Rafa Benitez.

Për korrektësi nuk dëshiroj të hyj në diskutime mbi këto ndryshime, por mendoj që, Interi tashmë është një rivale shumë e fortë për Milanin në rrugën drejt titullit kampion. Ka një forcë shumë të madhe tek grupi dhe kanë gjetur një seri të rëndësishme rezultatesh pozitive që kanë rritur akoma më shumë kompaktësinë e tyre dhe bindjen, se mund të fitojnë përsëri titullin kampion", nënvizon Marrota, duke folur për kundërshtarët e radhës.

Bardhezinjtë gjithsesi janë të bindur se do të ngushtojnë diferencën me kreun e renditjes, duke ndërtuar një stadium në pronësi të klubit, që është rasti i parë për një klub italian: "Do të jetë shtëpia e Juventusit, duke sjellë siguri dhe një ambjent komod. Është një asset fondamental, në të cilin kemi investuar shumë dhe që do të japë frytet e saj në të ardhmen, duke siguruar të ardhura të shumta që tani nuk janë të mundura.

Flas për miliona euro. Dhe sigurisht shoqëria do t'i dedikojë një pjesë të madhe të këtyre parave tek investimi për skuadrën dhe lojtarët e rinj". Një armë më shumë në dispozicion nga kampionati i ardhshëm. Në të cilën Juventusi shpreson të ketë përsëri në skuadër Alesandro Del Pieron: "Dera për rinovimin e kontratës është gjithmonë e hapur, shpresojmë të arrijmë sa më shpejt një marrëveshje për të vazhduar përpara me të.

Do të na pëlqente shumë që të ishte edhe në fushën e stadiumit të ri, ku sigurisht do të luajmë nga kampionati i ardhshëm". LajmeNews