03 shkurt 2011

Luka Toni dhe Saliamixhiç: "Van Gal, i çmendur"

Mynih (Gjermani) - Luka Toni dhe Hasan Saliamixhiç: dy lojtarë të Juventusit aktualisht, të dy më parë kanë luajtur për Bajern Mynihun, dhe sigurisht që në Gjermani tifozët nuk i kanë harruar. Gazeta e përjavshme "Sport Bild" i ka intervistuar paralelisht: mbi të shkuarën e tyre në Bundesligë, mbi të tashmen me fanelën e Juventusit, dhe për të ardhmen. Në këtë intervistë kanë dalë gjëra shumë interesante, mbi të gjitha nga goja e Luka Tonit. Që edhe këtë herë nuk e ka humbur mundësinë për të sulmuar trajnerin holandez të Bajern Mynih, Luis Van Gal, shkaku, sipas tij, për largimin e parakohshëm nga skuadra gjermane, ku italiani ka luajtur për dy sezone. Sulmuesi ka kujtuar disa episode mbi periudhën e shkurtër dhe problematike kur ka bashkëjetuar me trajnerin e klubit bavarez. Një vuajtje reciproke që nga dita e parë e mbërritjes, kur Luis Van Gal e kishte kritikuar shumë ashpër, sepse nuk dëshironte të priste me durim që të gjithë shokët e skuadrës të përfundonin mëngjesin. Por, anekdota më 'pikante' që tregon italiani Luka Toni i referohet një fakti që ka ndodhur në dhomat e zhveshjes. "Një gjë e çmendur, që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Trajneri dëshironte të ishte i qartë dhe të tregonte se mund të zëvendësonte çdo lloj lojtari, pavarësisht faktit se kush ishte ai, sepse kishte fuqi dhe nuk i trembej. Dhe për të treguar këtë forcë të tijën, ai ka ulur pantallonat përpara skuadrës në dhomat e zhveshjes". Van Gal, sipas Luka Tonit, i trajton lojtarët si objekte të shkëmbyeshme që mund t'i bëhet gjithçka që dëshiron: "Dhe ka gjithsesi një problem me lojtarët me mentalitet latin, siç tregon fakti që, Demikelis është larguar këtë sezon. Dhe mbi të gjitha, duket se ka shumë probleme me ato lojtarë që kanë karakter të fortë. Edhe braziliani Lusio është larguar, edhe me Riberinë ai është përplasur gjithmonë. Jam i sigurtë: Oliver Kahn dhe Luis Van Gal, sëbashku nuk do të kishin funksionuar".

Kapitulli Diego

Argumenti i intervistës është spostuar tek një tjetër ish: këtë herë për një juventin që është kthyer në Gjermani nga ku kishte mbërritur: braziliani Diego. Saliamixhiç shjegon se përse, sipas tij, organizatori brazilian shkëlqente tek gjermanët e Verder Bremenit, ndërkohë që më pas tek Juventusi dhe tani tek Volsburgu, ka pasur dhe vazhdon të ketë probleme: "Diego e kishte filluar shumë mirë sezonin tek Juventusi. Për mua është një lojtar i madh. Pas eliminimit tonë në Champions Ligë kundër Bajern Mynihut në sezonin e shkuar, kemi përfunduar të gjithë në një tunel të errët, që na ka dërguar shumë poshtë në fund të sezonit, duke mos arritur asnjë objektiv. Në Volsburg, Diego tashmë po kalon një situatë të ngjashme. Pikërisht lojtarë si ai, që shkëlqejnë në momentin që skuadra mund të luajë një futboll të mirë, e kanë jetën e vështirë dhe duhet të luftojnë në situata të vështira".

Perspektivat

Në fund, të dy lojtarëve të Juventusit i është drejtuar një pyetje sesi e mendojnë të ardhmen e tyre: "Sapo kam nënshkruar një kontratë me Juventusin deri në vitin 2012- përgjigjet Luka Toni, dhe në Itali jam shumë i lumtur. Dëshiroj të arrij diçka pozitive edhe në këtë skuadër. Pas dy, ose tre javësh, do të arrij të rikuperoj edhe dëmtimin në gju dhe dëshiron të kthehem shpejt të shënoj gola të rëndësishëm për skuadrën. Goli i ardhshëm do të jetë edhe goli im i njëqind në Serinë A. Por duhet të shënoj edhe ndonjë tjetër, në të kundërt, buzëqesh sulmuesi, Juventusi do të më shiste menjëherë". Saliamixhiç nuk është zhbalancuar: "Do të kompletoj kontratën time në Torino deri në përfundim të këtij sezoni. Më pas, premtoj se do të luaj përsëri edhe dy vite të tjera. Tashmë, jam rikuperuar plotësisht dhe kam gjithmonë një dëshirë të madhe brenda meje për të luajtur futboll. Jam i hapur për gjithçka që mund të ndodhë".