13 shkurt 2011

Leonardo: "Calciopoli është një mërzi absolute"

Milano (Itali)- "Është një mërzi absolute. Le të lëmë që të mendojnë për këtë çështje organet kompetente, le të mendojmë për zbavitjen e njerëzve dhe jo për të tilla çështje. Njerëzit sipas meje janë lodhur nga kjo histori". Kështu, me pak fjalë, Leonardo ka mbyllur kapitullin më të zezë të rivalitetit ndërmjet Interit të tij dhe Juventusit në prag të ndeshjes së madhe që do të zhvillohet në Torino të dielën në mbrëmje.

"Mua, është shprehur më tej trajneri zikaltër, nuk më intereson asgjë për polemikat. Juventusi për ne do të jetë një provë e madhe: është një ndeshje me shumë rivalitet, klasifikimi nuk ka të bëjë aspak". Nuk ka pasur kohë as për të provuar të krijohet një polemikë, sepse Leonardo ka mbyllur menjëherë diskutimin. Menjëherë, pa provuar të hedhë qoftë edhe një frazë të rëndë që, ndërmjet Juventusit dhe Interit, do të krijonte menjëherë një çështje.

Lamtumirë Calciopoli, kështu pra, të paktën për të dhe kërkon të diskutohet për gjëra serioze, duke e kthyer vëmendjen tek ndeshja e Olimpikos: "Kjo ndeshje ka një rivalitet shumë të madh ku klasifikimi nuk ka shumë rëndësi, shpjegon braziliani. E tregon historia e kësaj ndeshjeje. Për ndeshjen kundër Juventusit është thënë tashmë gjithçka, ekziston një rivalitet shumë i madh sportiv, për ne është një ndeshje e rëndësishme.

Përballja me Juventusin është një provë e madhe, duke lënë mënjanë peshën dhe traditën e të dy skuadrave". Edhe sepse, siç e thotë shumë mirë Leonardo, "Interit i pëlqen të luajë me skuadrat e mëdha. Në këtë mënyrë stimujt janë të mëdha, kjo është një prej ndeshjeve më të rëndësishme të kampionatit. Nga data 6 janar kemi zbritur në fushën e lojës gjithmonë për të fituar dhe do të bëjmë të njëjtën gjë edhe të dielën".

Leonardo nuk ka ofruar të dhëna për formacionin që do të zbresë në fushën e lojës: "Kemi ndryshuar shumë në ndeshjet e fundit, është pozitive të kesh alternativë në dispozicion, duke parë që kemi shumë ndeshje që janë afër. Ka gjithmonë diçka që mund të vlerësohet dhe të mendohet deri në stërvitjen dhe minutën e fundit.

Vijmë pas impenjimeve me skuadrat kombëtare, gjithçka mund të ndikojë tek zgjedhjet. Identiteti, ndërkohë, është shumë i qartë. Kjo më bën të ndihem shumë optimist, jemi shumë mirë". Një prej dyshimeve të mëdha është i lidhur me praninë në ndeshje të Dejan Stankoviç, që vjen pas një dëmtimi: "Deki është shumë mirë, do të vlerësojmë gjendjen e tij. Ai ka shumë dëshirë, por duhet të respektojë gjithsesi kohën e duhur të rikuperimit përtej dëshirës". Ata që e kanë pyetur për një prezantim taktik të ndeshjes, Leonardo i është përgjigjur: "Mesfusha është gjithmonë zemra e lojës, nuk mendoj se është diçka e re.

Juventusi dhe Interi provojnë të luajnë, sulmuesit mund të jenë decizivë me lëvizjet e tyre". "Nuk do të jetë pozicioni i një lojtari që do të ndikojë në rezultatin e ndeshjes, nënvizon Leonardo, do të jetë një ndeshje shumë e luftuar dhe Interi është një skuadër që mund të luftojë deri në fund. E dimë se kush janë pikët e forta të Juventusit dhe ato të Interit". Ndër këto, kohët e fundit, pika më e dobët e skuadrës zikaltër duket se është mbrojtja: "Kam riparë të gjithë golat që kemi pësuar, nuk mendoj se është një problem structural.

Skuadra ka kërkuar gjithmonë të fitojë, ka shtyrë gjithmonë shumë për të rikuperuar pikë në klasifikim. Golat e shënuar, në çdo mënyrë, janë shumë më shumë se golat e pësuar". Në një muaj, Interi është kthyer në zonat e larta të klasifikimit dhe tani kërcënon Milanin, që vjen pas dy barazimesh radhazi: "Është e pamundur të shkosh gjithmonë në 100%, nuk mendoj se rënia e Milanit është e rëndësishme. Kampionati është akoma shumë i gjatë. Nëse fitojmë me Juventusin dhe Fiorentinën do të fitojmë titullin kampion? Rruga është e gjatë, mungojnë akoma edhe shumë ndeshje".