05 shkurt 2011

Krasiç: "Në Itali fushat janë të këqija, në Xhenova ka qenë tmerr"

Nuk është një periudhë e lehtë për Milos Krasiç, që është përfshirë ashtu si edhe shokët e tij në krizën e Juventusit, por më i hapur se ata ndaj kritikave, përballë një fillim sezoni ka bërë që për të të flitej për një fenomen.

Mesfushori serb i krahut është rrëfyer për mediat e vendit të tij, duke treguar për gjendjen e vështirë në të cilën gjendet për të luajtur nga momenti kur ka zbarkuar në futbollin italian: "Fushat në Itali janë shumë të këqija. Në Rusi stadiumet janë të vjetër dhe shumë pak komodë.

Por, ndërkohë as në Itali impiantet nuk janë idealë për një kampionat të këtij niveli. Më kanë imperesionuar për keq fushat e lojës, nuk imagjinoja se do të gjeja të tilla fusha në një kampionat si Seria A".

Krasiç vazhdon më tej, duke dhënë dhe disa shembuj konkretë: "Në Xhenova, për shembull, ka qenë e tmerrshme të luaje, tregon Krasiç. Nëse dëshiron të kontrollosh topin pas një devijimi duhet të llogarisësh shpesh herë që do të shkojë në drejtimin e kundërt.

Edhe në stadiumin e Juventusit, gjendja nuk është e mirë. Këtu luhet çdo tre ditë, duke llogaritur edhe Torinon. Kështu pra, kam gjashtë muaj që jam në Itali dhe akoma nuk kam parë fusha ideale si ato që janë në Angli ose Spanjë…".