05 shkurt 2011

Del Neri: "Po rigjejmë besimin"

Torino - Juventusi këtë fundjavë do të luajë në Kaljari. Por nuk duhet të harrojë ndeshjen në Palermo. Këtë ka theksuar Luixhi Del Neri në prag të transfertës në Sant'Elia që do të zhvillohet të shtunën: "Në Siçili, pavarësisht humbjes, me futbollin tonë kemi rigjetur besimin.

Edhe falë Alesandro Matrit, që ka qenë një pikë e rëndësishme në ndeshjen e shkuar". Trajneri Del Neri ka ulur ndërkohë disi tonet e polemikave me arbitrin Morganti, pas episodit të ndodhur në Palermo: "Asnjë nuk ka dhënë asnjëherë se nuk duhet të arbitroj më.

Ka gabuar dhe ne kemi protestuar për gabimet që ka kryer. Gjithçka këtu është, asgjë më shumë". Kaljari është hapi i parë drejt një rilindjeje komplete. "Është një kundërshtar shumë i vështirë për t'u kaluar, dinamik me lojën që zhvillon, që ka luajtur shumë mirë në ndeshjet e fundit, ka shpjeguar Del Neri në konferencën për shtyp përpara ndeshjes në Sardenjë.

Tani ka humbur Matrin, që ka ditur të bëjë diferencën në shumë ndeshje, por mbetet një skuadër e frikshme". Tashmë, përveç krenarisë dhe motivacioneve të forta, duhen pikë dhe gola: "Duhet të ndryshojmë ritmin, ka përsëritur Del Neri me forcë.

Për fat të keq është një periudhë ku gjërat nuk na kanë shkuar shumë mirë, duke parë edhe emergjencën e madhe në lidhje me dëmtimet. Deri në momentin që kemi pasur të gjithë lojtarët në dispozicion kemi qenë të dytët ose të tretët në renditjen e përgjithshme. Pas disa episodeve, si ndëshkimi me karton të kuq në Verona, dëmtimi Kualjarelës dhe ai i Luka Tonit, ka ndryshuar shumë shpejt situata dhe kanë mbërritur disa humbje.

Jam shumë i bindur që, menjëherë sapo të kemi rikuperuar lojtarët e dëmtuar, do të kthehemi të ecim në një tjetër rrugë dhe do të kemi një tjetër ritëm. Në Palermo kemi luajtur një ndeshje shumë të mirë, me agresivitetin e duhur".

Kreu i klasifikimit është larg plot 13 pikë, por asgjë nuk është kompromentuar për rrugën drejt Champions Ligës: "Klasifikimi është i ngushtë dhe shumë do të varet nga përplasjet direkte. Do të mbërrijnë ndeshje shumë impenjative edhe për kundërshtarët tanë.

Duhet të qëndrojmë shumë pranë pozicioneve të para në renditje dhe të kemi më pas forcën e duhur për sprintin final kur të mbërrijë edhe momenti krucial i kampionatit. Aty duhet të japim maksimumin tonë". Mendimi final në konferencën për shtyp të Del Nerit është dedikuar për gjykimin e arbitrit Morganti në Palermo dhe për momentin ku ndodhet karriera e tij.

Trajneri bardhezi kërkon të ulë disi tonet e polemikës, duke i zgjatur dorën e paqes drejtuesit të ndeshjes: "Asnjë nuk ka thënë asnjëherë, që nuk dëshirojmë që të arbitrojë më. Fakti që ka kryer gabime të mërkurën nuk do të thotë, që duhet t'i përsëritë ndeshjen e ardhshme që do të drejtojë ndaj skuadrës tonë.

Ka gabuar dhe kemi protestuar, kjo është e gjitha. Nuk ndryshoj aspak ide në krahasim me atë që kam thënë të mërkurën, por tashmë nuk dua të flas më për arbitrat".

Menjëherë një gazetar provokon, është ky momenti më i keq i karrierës tuaj?

"Absolutisht jo, më të keqen e kam kaluar në kategori më të ulta, deri në momentin që ka një vlerësim të madh ndërmjet lojtarëve, trajnerëve dhe shoqërisë, mendoj se gjithçka mund të zgjidhet mirë, dhe ne jemi në rrugën e duhur për të zgjidhur problemet që ekzistojnë, duke rikuperuar lojtarët që mund të sjellin ndryshimin tek Juventusi, sepse Juventusi ka shënuar shumë gola kur ishte e kompletuar".