16 shkurt 2011

Juventus-Del Piero, rinovimi çështje ditësh

Del Piero është shumë afër rinovimit të kontratës me Juven. Mungojnë vetëm detajet (një milionë euro diferencë midis kërkesës dhe ofertës) për zgjatjen e kontratës bardhezi të “Pinturikios”, që do të jetë deri në 2012-ën.

Pas mbylljes së kësaj çështjeje klubi bardhezi duhet të mendojë për blerjen përfundimtare të lojtarëve që janë marrë borxh: në ditët në vazhdim Marota do të udhëtojë drejt Liverpulit për çështjen Akuilani (çmimi 16 milionë euro), më pas i duhen dhënë 7,5 milionë Udinezes për Pepen, 10.5 Napolit për Kualjarelën dhe mbi të gjitha 15 Kaljarit për Matrin.

Ndërsa, për sa i takon Motës dhe Rinaudos, duket se drejtuesit bardhezi nuk janë bindur nga paraqitjet e tyre dhe nuk do të kërkojnë t’i blejnë përfundimisht lojtarët.