11 shkurt 2011

Felipe Melo, i sigurt: Do të fitojmë ne!

Mesfushori bardhezi ndez supersfidën e së dielës në mbrëmje: Një humbje do të na fundoste

Të gjithë janë në pritje të përballjes Juventus-Inter që do të luhet të dielën në mbrëmje, me Felipe Melon, që i ka lëshuar mesazhin e tij rivalëve zikaltër: “Ajo me Interin është një ndeshje e veçantë, shumë e rëndësishme.

Eshtë Derbi i Italisë dhe mund të ndikojë në moralin tonë përveç se te renditja: një humbje mund të të fundosë, por një sukses mund të na rikthejë në garë për titullin. Ne po stërvitemi mirë dhe fort, sepse duam të fitojmë me çdo kusht”, ka thënë mesfushori brazilian i Juventusit.

“Fitorja e Kaljarit na ka lejuar të rikthehemi në garë për një vend në zonën e Ligës së Kampionëve dhe tani duhet të luftojmë në çdo ndeshje. Eshtë shpejt për të thënë se deri ku mund të arrijmë, llogaritë do t’i bëjmë pas dy muajsh.

Por, ndërkohë duhet të kërkojmë të grumbullojmë sa më shumë pikë të jetë e mundur”, ka shtuar Melo. Mesfushori brazilian ka folur edhe për aspektin taktik, pas skemës 4-3-3 të provuar në minutat e fundit të ndeshjes kundër Kaljarit, fundjavën e kaluar: “Personalisht ndihem mirë në çdo pozicion në mesfushë, edhe nëse luajmë me tre lojtarë, ose me dy qendërsulmues. Ajo që ka rëndësi është fitorja, kjo është e vetmja gjë që më jep kënaqësi”. Në lidhje me dy sulmuesit e blerë në merkaton e janarit:

“Toni dhe Matri janë dy kampionë, e kanë treguar këtë, duke shënuar menjëherë në kampionat. Kontributi i tyre do të jetë shumë i rëndësishëm, sepse garanton më shumë alternativa për trajnerin dhe për ne mesfushorët”, ka përfunduar ish-lojtari i Fiorentinës.