04 shkurt 2011

Diego: "Kriza e Juventusit? Nuk ka vetëm një përgjegjës"

Torino (Itali)- Në këtë periudhë, të një viti më parë, në bankën e të akuzuarve në shtëpinë e Juventusit ishte edhe ai. Diego Ribas da Kunja, blerja më e madhe e merkatos verore të vitit 2009, ylli që ishte destinuar për të kryer kalimin cilësor tek Juventusi dhe do të ishte pasardhësi i kapitenit Alesandro Del Piero. Një histori dashurie, që kishte filluar në mënyrën më të mirë, por që ka përfunduar vetëm pas një viti me një dështim. Braziliani, që është shitur shpejt dhe me nxitim nga Marrota, për një shifër inferiore në krahasim me atë që është blerë, është duke kërkuar të ringrihet përsëri në Bundesligë që i pëlqen shumë, me fanelën e Volsburgut. Me ulje dhe ngritje, një sy për Zonjën e Vjetër ai e hedh gjithmonë…

-Diego, si ka qenë rikthimi në Bundesligë?

"E bukur, sepse kam qenë gjithmonë shumë mirë këtu, edhe kur kam qenë tek Verder Bremen. Jam adaptuar mirë, si me futbollin edhe jetën sociale, kam marrë shumë. Është një vend që e respektoj dhe me të cilin ndihem shumë i lidhur, do të jetë kënaqësi të luajë këtu".

-Seria A dhe Bundesliga, i ke njohur të dyja. Na flisni pak?

"Janë dy kompeticione të një niveli të lartë. Unë preferoj Bundesligën, sepse është më e ekuilibruar dhe më pasionante. Shumë skuadra në garë për titullin dhe për kreun e renditjes, është e vështirë të mundësh çdo lloj skuadre. Është një futboll që më pëlqen gjithmonë e më shumë".

-Çfarë mendon sot për Juventusin?

"Kam akoma, dhe kështu do të jetë përgjithmonë, një respekt të madh dhe admirim për Juventusin. Për fat të keq, për një seri motivesh, nuk kam qëndruar në atë skuadër, pavarësisht se ajo ka qenë dëshira ime. Në periudhën që kam kaluar në Torino kam kaluar gjithsesi shumë mirë, kam marrë një mbështetje të madhe nga tifozët, nga shtypi dhe nga njerëzit brenda klubit. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme për mua".

-Jeni i lumtur që jeni larguar nga Juventusi, duke parë sezonin negativ që po kalojnë?

"Objektivi im, si lojtar i Juventusit ka qenë ai për të qendruar sa më gjatë të ishte e mundur. Gjërat nuk kanë shkuar siç dëshiroja dhe sëbashku me klubin kemi vendosur të shitem. Kur është shfaqur mundësia për t'u transferuar tek Volsburgu e kam pritur menjëherë me kënaqësi rikthimin në Gjermani për të marrë pjesë në një projekt të madh".

-Kush janë problemet e Juventusit sot, sipas teje? Organika e dobët? Zgjedhje nga drejtuesit të gabuara? Trajner i gabuar?

"Kur isha tek Juventusi, objektivi ishte për të luftuar për titullin dhe skuadra ishte konceptuar pikërisht për të arritur këtë objektiv. Klubi kishte investuar shumë, por ka pasur shumë probleme rrugës: dëmtime, ndryshimi i trajnerit…. Gjëra që ndodhin në futboll. Mendoj se, nuk mund të drejtohet gishti tek një person i vetëm, projekti në fund ishte i vlefshëm. Por për fat të keq futbolli është kështu, diçka nuk ka funksionuar dhe nuk kemi arritur objektivat e vendosur".

-Disa muaj më parë keni folur që, Edin Dzeko dëshironte që të transferohej tek Juventusi para se të kalonte tek Manchester Siti. Ishte skuadra bardhezi destinacioni i tij i preferuar?

"Nuk kam folur për diçka të tillë. Dzeko ka qenë gjithmonë i lirë të zgjedhë të ardhmen e tij dhe mendoj, që Manchester Siti ka qenë një zgjedhje e tija. I uroj shumë fat për këtë aventurë të re, mund të bëhet lojtari më i mirë në botë".