16 shkurt 2011

Del Piero: "Të mos kënaqemi"

Pothuajse në të njëjtën linjë është edhe kapiteni bardhezi Alesandro Del Piero. "Jam me të vërtetë shumë i lumtur për fitoren. Na duhej një ndeshje e tillë për të vazhduar rritjen që kishim filluar jo vetëm pas tre pikëve në Kaljari, por mbi të gjitha që ne humbjen kundër Palermos.

Sipas meje, pikërisht në dhomat e zhveshjes në Barbera, pas zhgënjimit që vinte nga ajo humbje e pamerituar, ka shpërthyer skuadra që ka arritur të ringrihet në mënyrën më të mirë dhe të arrijë tek ai rezultat pozitiv që kemi marrë të dielën". Alesandro Del Piero ka folur për rëndësinë që ka fitorja e të dielës kundër zikaltërve. "Sigurisht nuk duhet të kënaqemi se kemi mundur Interin, vazhdon më tej kapiteni juventin.

Bëhet fjalë vetëm për një etapë, por rruga jonë është akoma shumë e gjatë. Tashmë duhet të tregojmë vazhdimësi në ndeshjet e ardhshme për të rigjetur atë vend në klasifikim që na afron me ambiciet tona. Sigurisht, që ky sukses duhet të rrisë akoma më shumë vetbesimin tek skuadra dhe bindjen në forcën tonë: mund të luajmë dhe të fitojmë ndeshje të tilla, kjo është e rëndësishme. Përsa më përket mua, jam shumë i lumtur për atë që kanë bërë shokët e mi në fushën e lojës.

Nga ndeshja me Interin më ka kënaqur edhe fakti, që kam parë një stadium plot përsëri dhe shumë juventinë entuziastë: ka qenë një emocion shumë i bukur, unë uroj që të mund t'i dhurojmë të tjera kënaqësi tifozëve tanë".