16 shkurt 2011

Bufon: "Juventusi mund të arrijë vendin e katërt"

Vendi i katërt është e qartë "që është i mundshëm për t'u arritur nga skuadra jonë". Këtë e ka shprehur portieri i Juventusit, Xhianluixhi Bufon, që nga faqja e tij e internetit, ka analizuar suksesin e arritur të dielën nga bardhezinjtë kundër Interit.

"Të dielën në mbrëmje, shkruan Bufon, kemi fituar një ndeshje shumë të vështirë. Kemi arritur të mundim një skuadër që në sezonin e shkuar ka fituar gjithçka dhe këtë vit nuk është dobësuar dhe ky është një rezultat i rëndësishëm që të bën të reflektosh për potencialin tonë të vërtetë si skuadër…". Për Bufon, "nëse nuk do të kishim pasur kaq shumë dëmtime në këtë sezon, Juventusi do të ishte në garë për objektiva të tjera dhe mund t'i arrinte me siguri.

Sot, me një realizëm të madh, duhet të synojmë vendin e katërt dhe jemi të bindur që mund ta arrijmë, duke parë potencialin që kemi si skuadër. Jam shumë i lumtur, ka përfunduar komentin e tij numri 1 bardhezi, në mënyrë të veçantë për tifozët tanë që na kanë mbështetur gjithmonë në këto muaj dhe që e meritonin të jetonin të tilla emocione siç kanë përjetur pas fitores që skuadra jonë ka arritur të dielën".