03 shkurt 2011

Del Piero, probleme me komunën dhe policinë

Shkak është bërë mosdhënia e lejes së qarkullimit në zonën me trafik të kufizuar të Torinos

Është e qartë që ky nuk është një moment pozitiv për Del Pieron. Pas Juves, e cila në këtë vit 2011 është duke vuajtur shumë, shfaqet edhe policia që i jep një “shuplakë” kapitenit bardhezi. Motivi është i thjeshtë.

“Pinturikio” ka bërë një kërkesë në Komunën e Torinos, për të patur 7 leje qarkullimi me makinën e tij në zonën me trafik të kufizuar (ZTL) të qytetit, por ka marrë si përgjigje një “Jo” të madhe. Aleks nuk është dorëzuar dhe i ka shkruar drejtpërdrejt anëtarit të Këshillit Bashkiak, përgjegjës për trafikun, duke marrë sërish një përgjigje negative.

Këtu ka ndërhyrë Sindikata Autonome e Policisë (SAP), e cila ka akuzuar Del Pieron se ka patur “një stil të ulët”. “Kam gjithmonë nevojë për një makinë në dispozicion në qendër, për të shmangur euforinë e tifozëve,” ka shpjeguar Del Piero për anëtaren e Këshillit Bashkiak, Maria Gracia Sestero.

Kjo e fundit, ka informuar të gjithë trupën e Këshillit Bashkiak duke shpjeguar se “çdo kërkesë e këtij lloji, qoftë dhe nga njerëz të famshëm, nuk është marrë kurrë në konsideratë dhe nuk do të merret.

” “SAP”-i ka ndërhyrë në këtë vendim, duke mbrojtur pozicionin e Komunës dhe Këshillit Bashkiak që, sipas logjikës së tyre, janë sjellë me seriozitet dhe maturi, gjë që përkundrazi - ka shtuar Massimo Montebove, këshilltar kombëtar i sindikatës së policisë - nuk mund ta themi ndaj një kampioni të admiruar nga të gjithë ne. Disa lojtarë profesionistë duhet të kujtojnë gjithmonë se duhet të jenë shembuj për mijëra banorë të tjerë, të rinj apo të vjetër.

Jetojmë në një Itali, ku shpesh herë normat respektohen me raste, duke shkelur ligjet; nuk është aspak dinjitoze që, një person, i cili fiton në një ditë të vetme atë që një punëtor i Fiatit apo një polic fiton gjatë gjithë vitit, - ka përfunduar, - të kërkojë për veten e tij një përjashtim nga rregullat, kushdo qoftë ai, duke u justifikuar me grumbujt e tifozëve të tyre.”