16 shkurt 2011

Del Neri vendos: Kielini në krahun e majtë

Sipas trajnerit bardhezi, qendërmbrojtësi do ta mbyllë sezonin i zhvendosur rolin e javëve të fundit

Xhiorxhio Kielini ka qenë një nga protagonistët e fitores së rëndësishme të marrë nga Juventusi në derbin e Italisë. Mbrojtësi i kombëtares së Italisë shikon përpara me besim: “Skuadra tani është mirë fizikisht dhe për rrjedhojë edhe faza mbrojtëse është më mirë.

Nëse repartet janë afër njëri-tjetrit problemet pakësohen edhe mbrapa. Fitorja me Interin na ka bërë të rigjejmë identitetin e humbur në janar, ku gjithçka ka shkuar keq, - ka shpjeguar Kielini.

Sigurisht ka pasur një problem për sa i takon gjendjes fizike: disa prej nesh kanë shpenzuar shumë energji në fazën e parë ku është luajtur shumë dhe pa alternativa në stol për shkak të dëmtimeve. Në ditët e Krishtlindjes nuk kemi arritur t’i rekuperojmë të dëmtuarit dhe me rifillimin e kampionatit nuk kemi qenë në maksimumin e formës.

Në atë situatë, me pak alternativa në dispozicion, fakti që kemi luajtur çdo tri ditë nuk na ka ndihmuar: dhe kështu në janar gjërat kanë shkuar në atë mënyrë, siç e keni parë. Por, në Palermo u pa një rritje, skuadra ka reaguar mirë pasi ka kaluar në disavantazh.

Blerjet e janarit na kanë ndihmuar akoma më shumë”. Ringritja e mbrojtjes bardhezi dhe fitorja kundër rivalëve zikaltër ka ardhur edhe për shkak të zhvendosjes në krahun e majtë të Kielinit. Një pozicion ku Xhixhi Del Neri do të donte ta aktivizonte rregullisht. “Do të luajë në atë pozicion deri në fund të kampionatit, - ka pranuar Del Neri.

Ka qenë ai që e ka kërkuar. Eshtë një lojtar cilësor, shumë i fuqishëm fizikisht, më pas në atë pozicion luan shumë mirë. Në këtë moment, në Itali ka pak mbrojtës të krahut të majtë me forcën e tij”.