16 shkurt 2011

Bufon: Objektivi i Juves vendi i katërt

Portieri bardhezi ka pranuar se dëmtimet e shumta kanë kushtëzuar sezonin e bardhezinjve

Xhixhi Bufon ka provuar të fshijë janarin e zi të Juventusit, duke shikuar me optimizëm drejt pjesës së mbetur të sezonit. Që, sipas portierit bardhezi, ka një objektiv të vetëm: Ligën e Kampionëve. “Nëse nuk do të kishim pasur një numër kaq të madh dëmtimesh, Juventusi do të mund të kishte synuar objektiva të ndryshëm.

Sot duhet të synojmë vendin e katërt në renditje dhe jemi të vetëdijshëm se është një objektiv i arritshëm nga ana jonë”, ka thënë portieri juventin. Sigurisht, fitorja ndaj Interit ka karikuar të gjithë ambientin. “Të dielën në mbrëmje, -ka shtuar Bufon, - kemi fituar një ndeshje shumë të vështirë.

Të mposhtësh një skuadër që në sezonin e kaluar ka fituar gjithçka dhe këtë vit nuk është dobësuar është një rezultat i rëndësishëm që të bën të mendosh për potencialin tonë…”. “Jam i kënaqur veçanërisht për tifozët tanë që na kanë mbështetur gjithmonë në këto muaj dhe që meritojnë të përjetojnë emocione si ato të së dielës së kaluar”, ka përfunduar Bufon.

Ndërkohë, edhe Del Piero ka shprehur entuziazmin e tij pas fitores kundër zikaltërve. “Jam me të vërtet i kënaqur për fitoren e së dielës në mbrëmje. Para së gjithash sepse kishim nevojë për një ndeshje të tillë, për të vazhduar rritjen e nisur me tri pikët e marra në Kaljari, por mbi të gjitha pas humbjes në Palermo.

Sipas mendimit tim, pikërisht në “Barbera”, për shkak të zhgënjimit për humbjen e pamerituar, ka ardhur kthesa që na ka lejuar të ringrihemi, dhe të marrim një rezultat të madh kundër Interit”. Eshtë kthyer të flasë për derbin e Italisë, Alesandro Del Piero.

“Natyrisht nuk duhet të kënaqemi me faktin se kemi mundur Interin. Bëhet fjalë vetëm për një etapë, por rruga është akoma e gjatë. Tani duhet të gjejmë vazhdimësinë në ndeshjet e ardhshme për të siguruar një pozicion në renditje të denjë për ambiciet tona. Sigurisht, ndeshja e “Olimpikos” duhet të rrisë besimin në forcat tona.

Për sa më takon jam i kënaqur për atë që kanë bërë shokët e mi. Më ka ardhur mirë edhe për faktin se stadiumi ka qenë i mbushur dhe tifozët juventinë ishin entuziastë: ka qenë një ndjesi e bukur, uroj që të mund t’i dhurojmë tifozëve tanë shumë gëzime në të ardhmen”, ka thënë kapiteni i Juventusit.