14 shkurt 2011

Del Neri: Ky është rikthimi i Juventusit

Menaxheri i Juventusit, Gigi del Neri, është i bindur se fitorja ndaj Interit do ta ndryshojë sezonin e tyre.

Alessandro Matri ishte autori i golit të vetëm të ndeshjes që ua solli fitoren Biankonerëve në derbin italian.

“Ne kemi luajtur mirë edhe kundër Palermos, pastaj fituam kundër Cagliarit, andaj jemi përmirësuar për të arritur te kjo performancë. Ne dëshmuam se jemi një ekip i fuqishëm si psikologjikisht ashtu edhe moralisht. Kjo fitore mund të jetë vendimtare në hapjen e një kapitulli të ri për sezonin tonë”, ka thënë Del Neri.

“Ekipi tash është më i fokusuar dhe më preciz. Ne mund të vuajmë, por ne nxjerrim atë që meritojmë. Futbolli funksionon vetëm nëse shënoni gola, andaj bëhet vështirë kur të gjithë sulmuesit janë të lënduar. Ne kemi mposhtur një ekip të fuqishëm dhe jam krenar që ua jap këtë kënaqësi fansave të Juventusit”, ka shtuar italiani.