08 shkurt 2011

Çelino sulmon Juven: Fitore e pandershme

Ditë pas ndeshjes së Kaljarit kundër Juventusit, Çelino ka pasur kohë të mendohet dhe të zemërohet. “Na morën me shkelma dhe na anuluan një gol të rregullt”. Më pas ai e shton dozën: “Nuk ishte një fitore e ndershme. Rezultati i shtunës ishte i rremë. Ne jemi sjellë gjithnjë me edukatë, pa bërë rolin e viktimës, por po filloj të mendoj se edukata nuk shpërblehet. Të qarat e Juventusit, pas Palermos, kanë dhënë efektin e tyre”.

“A më keni dëgjuar ndonjëherë të them ‘nuk e dua këtë gjyqtar?’. Unë vazhdoj të ruaj politikën time, është një premtim që i kam dhënë vetes, por nuk dua të më marrin për budalla, veçse dua më shumë respekt. Goli i Nenè ishte i rregullt, por pati edhe një shkelm në fytyrë ndaj Kosusë nga Akuilani, teksa lojtari jonë ishte në tokë. Po ju them diçka: nuk është çudi të humbasësh me Juventusin, por kjo e fundit nuk ishte një fitore e ndershme, u largova para fundit të ndeshjes nga stadiumi sepse po më vinte për të vjellë nga ato që ndodhën”. Është ende i inatosur presidenti i Kaljarit. Të shtunën u ngrit dhe u largua nga stadiumi pas golit të tretë të bardhezinjve. “Nuk jam ankua kurrë për gjyqtarët dhe nu kam ofenduar kurrë askënd, por këtë herë ndoshta është rasti të ngre zërin”. Më pas një koment për Matrin, që në fund të ndeshjes shkoi të përshëndeste dhe të duartrokiste tifozët juventinë: “Çfarë doni që t’i them? Më lëndoi, por është më e drejtë kështu, pasi e kuptojmë se si shkon jeta, është faji i imi që afeksionohem shumë me lojtarët”.