09 shkurt 2011

Bufon: E keqja kaloi, të mundim edhe Interin

Portieri bardhezi mbyll “Caliopoli”-n dhe karikon skuadrën në prag të derbit të Italisë kundër zikaltërve

“Duam të fitojmë kundër skuadrës që për momentin është më e forta në botë: mjaft folëm për rivalitetin, pas pesë vitesh është momenti që të shikojmë përpara”. Xhixhi Bufon, i grumbulluar me kombëtaren e Italisë, ka karikuar Juventusin. “Kërkojmë konfirmime pas fitores në Kaljari, më e keqja ka kaluar.

Nuk kemi lënë që momenti negativ të na vërë poshtë: deri disa javë më parë konsideroheshim të jashtëzakonshëm, më pas kanë filluar të na cilësojnë si të dështuar. Ka të drejtë trajneri Del Neri: e vërteta është në mes, presim pranverën për të gjykuar këtë Juventus”. Numri një i bardhezinjve ka bërë një ftesë të vërtetë:

“Nuk dua më të dëgjoj asgjë në lidhje me “Calciopoli”-n, e kaluara është e rëndësishme por e ardhmja akoma më shumë. Nuk mund ta mohojmë se këtë vit ka pasur disa gabime të arbitrave kundër nesh, por unë jam një njeri i sportit dhe si i tillë jam gjithmonë i bindur se bëhet fjalë për gabime normale.

Nuk kam menduar në asnjë moment se ka pasur diçka pas tyre. Duhet të lëmë gjithçka pas krahëve, po e bëjmë falë Del Nerit që ka ditur të menaxhojë këtë moment”, ka thënë portieri i Juventusit. Bufon ka dashur edhe të udhëheqë shokët e tij te kombëtarja.

“Gjermania do të paraqitet në këtë sfidë me disa siguri që vijnë nga rezultatet e tyre të fundit që kanë qenë të pabesueshme, ne jemi një grup në ndërtim e sipër që ka ndryshuar trajnerin dhe lojtarët: nuk kemi asgjë për të humbur, por duam të bëjmë një hap përpara për të qenë më kompetitivë. Duhet të kërkojmë të japim një imazh si një kombëtare e fortë dhe e bashkuar”, ka përfunduar Bufoni. *
LAJMENEWS - GRANDEJUVE*