13 shkurt 2011

Del Neri: "Juventusi im është plotësisht gati kundër Interit"

Torino (Itali) - Është një Xhixhi Del Neri shumë i qetë ai që është prezantuar në konferencë për shtyp për të folur për derbin e Italisë kundër Interit. "Tashmë jemi mirë dhe kemi në dispozicion një grup më të kompletuar dhe më të ekuilibruar. Është një ndeshje e rëndësishme, që shpresoj ta fitoj edhe nëse luajmë kundër një prej skuadrave më të forta në botë.

Pazini?

Unë besoj shumë tek Matri", është shprehur trajneri i Juventusit që menjëherë është pyetur nga gazetarët për formacionin që mendon të hedhë në fushën e lojës: "Kielini në krahun e majtë është një zgjidhje momentale. Markizio është shumë i rëndësishëm, kam besim se do të luajë dhe do të japë më të mirën". Synimi i bardhezinjve përpara ndeshjes me Interin është i qartë: "Të fitojmë për t'u kthyer të jemi kompetitiv.

Interi ka motivacione shumë të forta, ashtu si edhe ne. Nuk është e detyrueshme të fitojnë, por do të bëj gjithçka që kjo të ndodhë", ka shtuar Del Neri. Në krahasim me ndeshjen e vajtjes, Interi ka ndryshuar trajner dhe shumë gjëra në skuadrën zikaltër nuk janë më si më parë. "Skuadra, ndërkohë nuk ka ndryshuar shumë: është Pazini dhe nuk është Milito, por mënyra sesi e shikojnë futbollin është e njëjtë.

Benitez ka fituar shumë në karrierë dhe është një prej trajnerëve më të mirë, por shpesh herë fati i një trajneri varet edhe nga ndonjë moment specifik. Ai ka pasur mungesa shumë të rëndësishme në një moment të caktuar dhe kjo sigurisht që ka ndikuar. Leonardo është i ri, por që në sezonin e shkuar ka drejtuar Milanin në Champions Ligë, duke treguar elementë pozitivë. Kë do të hiqja nga Interi? Beh, më duket se janë të gjithë në formë në këtë moment…

Shnajder, Eto, Pazini, Julio Cezar, Zaneti, që duket si një djalë i ri… Ja shikoni, duhet të theksoj se, Zaneti është një shembull për njerëzit që dashurojnë futbollin, për pasionin dhe impenjimin që tregon në punën e tij". Duke qëndruar tek lojtarë të vecantë, Del Neri i ka dhënë hapësirë edhe lojtarëve të tij.

"Kielini në krahun e majtë?

Në këtë moment më duhet në atë pozicion, ka saktësuar trajneri bardhezi. Pozicioni i Markizios? E rëndësishme është që një skuadër të jetë e organizuar, por në çdo rast në atë që mund të quhet një skemë 4-4-2, ka shënuar gola të rëndësishëm dhe gjuan me vazhdimësi. Është shumë i rëndësishëm në atë pozicion, ku e kam aktivizuar".

Fantazia e tifozëve ndërkohë, është e fokusuar e gjitha tek dueli ndërmjet Matrit dhe Pazinit: "Kanë të dhëna të rëndësishme jo vetëm në fushën e lojës. Janë djem të shkëlqyer që kryejnë punën e tyre me seriozitet dhe impenjim dhe kështu, që shpresoj të vazhdojnë në këtë rrugë, sepse futbolli ka nevojë për këtë: kampionë, stil, cilësi morale që të përballen në fushë. Uroj që Matri të kryejë një punë shumë të mirë tek Juventusi dhe që Pazini të vazhdojë të kryejë një karrierë të madhe, por duke filluar nga e diela e ardhshme…".