08 shkurt 2011

“Bebet” yje të ardhshme në Serisë A


Merkato e janarit në Serinë A ishte e mbushur me shumë marrëveshje, të realizuara apo jo. E ndërsa disa skuadra preferuan të shpenzonin miliona për lojtarët e mëdhenj, të tjera zgjodhën të investonin me më shumë mençuari në yjet e së ardhmes.

”La Gazzetta dello Sport” publikoi sot një listë të të rinjve që konsiderohen si blerjet më të mira, të atyre emrave që pritet të jenë në qendër të vëmendjes në të ardhmen.

Acerbi – 22-vjeçari do të zëvendësojë Ranocchia-n në formacionin titullar të Genoa-s dhe konsiderohet gjerësisht si mbrojtësi i ri më i talentuar italian. Shumë shpejt do të jetë në qendër të vëmendjes së të mëdhenjve, ndërsa në gjysmën e parë të sezonit ishte një pikë referimi tek Reggina në Serinë B.

Birsa – Genoa pagoi 4 milion euro për të blerë nga Auxerre mesfushorin mëngjërash me tipare sulmuese. 24-vjeçari konsiderohej si njëri prej më të mirëve në Francë në rolin e tij. Megjithatë, ai do të mbërrijë vetëm në verë, pasi Auxerre është e përfshirë në luftën për mbijetesë.

Castaignos – Sulmuesi 18-vjeçar dallohet veçanërisht për fuqinë e tij të jashtëzakonshme fizike. Një “fenomen” i futbollit holandez dhe pasardhës i Balotelli-t tek Interi, Moratti mund të krenohet për një prej goditjeve më të mira të jetës së tij si president, pasi shpenzoi vetëm 3 milion euro.

Danilo – Braziliani 26-vjeçar i Udinese-s zotëron aftësi të shkëlqyera fizike dhe teknike. Me vetëm dy milion euro të shpenzuara, skuadra nga Friuli tregon edhe një herë më shumë një nuhatje të jashtëzakonshme për talentet.

Dede – Qendërsulmuesi i ri më i mirë brazilian, së bashku me Miranda-n e San Paolos, u shndërrua në shpresën e së ardhmes për sulmin e Genoas, pasi u sigurua për 5 milion euro nga Vasco de Gama.

Fernandez – Napoli shpejtoi për të siguruar kartonin e tij që në mesin e dhjetorit, sa pa nisur konkurrenca. Me tre milion euro, napolitanët duket se kanë bërë një investim të shkëlqyer për 21-vjeçarin, i cili që tani është në listën e kombëtares argjentinase.

Matavz – Ende nuk ka mbërritur firma, por Napoli pritet të mbyllë marrëveshjen me Groningenin mbi bazën e shtatë milion eurove shumë herët. Slloveni 21-vjeçar ka shënuar gjashtë gola në katër ndeshjet e fundit të kampionatit holandez dhe nga cilësitë ngjan shumë me Cavani-n.

Milanovic – Mbrojtësi sërb i Lokomotivës së Moskës iu këshillua Juventusit prej mesfushorit Krasic, por bardhezinjtë vendosën të mos lëviznin për të. 19-vjeçari kaloi në janar me parametra zero tek Palermo dhe I ka të gjitha mundësitë që ta bëjë Juven ta qajë për shumë kohë. /LAJMENEWS/