17 shkurt 2010

Rooney: E merituam fitoren

Heroi i Manchester United, Wayne Rooney, thotë se ai ishte humbur gjatë pjesës së parë të fitores së mbrëmshme prej 3-2 ndaj Milanit.
Rooney shënoi dy gola, që të dyja në pjesën e dytë të ndeshjes, të cilët edhe ia siguruan fitoren Manchester United.
“Ishte një fillim zhgënjyes, edhe pse pas kësaj ia dolëm mirë të kthehemi në ndeshje. Është shumë vështirë të vish këtu dhe në pjesën e dytë dolëm dhe merituam ta fitojmë ndeshjen. Me një fjalë, ekipi më i mirë meritoi të fitojë”, ka thënë Rooney.
Por anglezi thotë se ai ishte frustruar nga dominimi i madh i Milanit në pjesën e parë dhe ka thënë se ishte i pakënaqur me arbitrin e ndeshjes.
“Çfarë më ka irrituar? Shumë gjëra. Nuk dua ta them, por disa njerëz nuk e bënin punën e tyre në mënyrën e duhur. Çdokush u irritua, por mora karton të verdhë dhe pastaj mësova nga kjo, dhe ia dola të ndihmoj ekipin të fitojë ndeshje dhe jam i ngazëllyer për këtë”, ka thënë Rooney.