19 shkurt 2010

Dy kosovarët, Raskaj dhe Papuçi, të gatshëm për fanellën kuqezi

Mesfushori dhe mbrojtësi u lavdëruan nga Kuzhe pas miqësores së “Pavarësisë”

Dy futbollistë të tjerë kosovarë janë të gatshëm t’i bashkohen Kombëtares shqiptare, në kuadër të eliminatoreve të Euro 2012. Pas gjashtëshes së konsoliduar (Cana, Curri, Dallku, Beqaj, Ujkani e Berisha) dhe afrimit në skuadër të Mërgim Mavrajt (pritet të debutojë më 3 mars kundër Irlandës së Veriut). Në të kaluarën, fanellën kuqezi e kanë veshur edhe Besnik Hasi, Mehmet Dragusha, Bekim Kastrati e Blerim Rrustemi. Ndërsa tashmë, edhe Anel Raskaj dhe Fisnik Papuçi mund të përforcojnë skuadrën. Pas miqësores së “Pavarësisë”, të zhvilluar të mërkurën në Prishtinë ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe Kombëtares “B”, këta dy lojtarë morën lëvdatat e trajnerit Josip Kuzhe, për paraqitjen në fushën e lojës. Tekniku kroat deklaroi se mesfushori i Halmshtad, Raskaj dhe mbrojtësi i Hysit, Papuçi i kishin lënë përshtypje pozitive, ndërsa nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen e afërt t’i vëzhgojë nga afër. Lojtari që militon në Suedi, deklaroi se zgjedhja e tij primare do të jetë Kosova, ndërsa Shqipëria mund të jetë një alternativë, duke theksuar se ai kurrsesi nuk e përjashton mundësinë për të qenë pjesë e kuqezinjve. “Në zemër kam Kosovën dhe ndihem krenar që tashmë jam bërë pjesë e kësaj skuadre. Kjo padyshim që është numri një. Edhe Shqipërinë e kam në zemër, por pas Kosovës. Në vendin e fundit vjen Suedia U-21. Nëse gjithçka ecën sipas parashikimeve dhe nga viti i ardhshëm do të fillojmë të zhvillojmë ndeshje miqësore me shtetet që na kanë njohur si shtet, zgjedhja ime do të ishte e lehtë”, deklaroi 20-vjeçari për të përditshmen kosovare, “Express”. Megjithatë, ai shtoi: “Nëse më thërret Shqipëria unë nuk jam kundër. Shqipërinë e dua. Është vështirë të thuhet tani se çfarë vendimi do të marr nëse marr ndonjë ftesë nga trajneri Kuzhe. Por, më parë, duhet të konsultohem me familjen, e më pas të vendos”. Në anën tjetër, Fisnik Papuçi deklaroi: “Ndihem krenar që Kuzhe më ka lavdëruar. Do ta pranoja me dëshirë ftesën e trajnerit për të luajtur me ekipin kombëtar, sepse kjo dëshirë ekziston te çdo futbollist shqiptar. Do të ndihesha shumë krenar”.