
Legjenda braziliane, Ronaldo, mund të kalojë te skuadra e Manchester Cityt, pasi që mediat britanike kanë njoftuar se ish-sulmuesi i Milanit ka biseduar me skuadrën e Premiershipit për një transferim të mundshëm.Sulmuesi 31-vjeçar është duke u rikuperuar nga lëndimi i tetivës gjatë lojës Milan - Livorno në shkurt të këtij viti. Pas operacionit të suksesshëm në Paris, është njoftuar se ai mund të qëndrojë jashtë fushe për nëntë muaj, ndërsa rehabilitimi i Ronaldos duket se shkon më shpejtë sesa ishte pritur. Sido që të jetë, pas përfundimit të kontratës me Milanin, Rosonerët refuzuan t’i ofrojnë një kontratë tjetër asit brazilian. Kampioni i botës, tani transfer i lirë, ka qenë i lidhur me shumë skuadra, mirëpo duket se Man City ka nevojë për një emër të madh në skuadër për qëllime komerciale, ndërsa Fenomeni është njeriu i duhur për këtë. Ai është zgjedhur tri herë lojtari më i mirë në botë nga FIFA dhe është golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës Botërore.