27 gusht 2008

Ibra: Eshtë vetëm fillimi!


I ka të gjitha arsyet për të qenë i lumtur. Interi i tij ka fituar Superkupën e Italisë, trofeun e parë të sezonit, gjuri nuk i dhemb më dhe ai mund të nisë të shprehet në 100% në fushë, por sidomos, ajo që e gëzon më shumë ka të bëjë me lojën e zhvilluar nga zikaltërit: një mënyrë e re për t’u zbavitur në fushë! Zlatan Ibrahimoviç mund t’i harrojë problemet e lidhura me hipotezën e operimit, të paktën deri tani. Ndeshja e zhvilluar me Romën ka dhënë përgjigjet që stafi mjekësor, por edhe ai vetë, priste prej kohësh: “Gjuri nuk më dhemb më dhe në çdo lëvizje që këmba kryente s’më jepte shqetësim apo bllokim. Pra, mendoj se nuk do të ketë asnjë problem për të më parë në ndeshjen e parë të kampionatit. Të shohim se si do të shkojë situata, por jam i bindur se do të jem në dispozicion të trajnerit”, u shpreh shtatlarti suedez, i cili më pas u ndal te analizimi i ndeshjes së Superkupës, ndaj Romës: “Jam shumë i kënaqur nga paraqitja e zhvilluar, sepse nuk mund ta nisnim më mirë se kaq sezonin, mbi të gjitha jam i lumtur sepse puna dhe stërvitja që kemi zhvilluar pa rreshtur gjatë gjithë kësaj kohe është duke dhënë frytet e saj. Unë dhe shokët e mi në skuadër u zbavitëm shumë dhe mund të them pa frikë se kemi luajtur një ndeshje të madhe, pasi nuk ishte e lehtë me një kundërshtar si Roma, që është e rrezikshme në kundërsulm dhe nuk të jep mundësi që të mbash shumë topin. Di të them vetëm se ky është fillimi i një tjetër sezoni të jashtëzakonshëm”. Në fund, Ibra “i thuri” elozhe Balotelit: “Me Balotelin shkoj shumë mirë dhe mendoj se ai do të jetë i rëndësishëm, sidomos në kampionat”.