29 gusht 2008

Zidane: Reali do ta fitojë Ligën e Kampionëve


Legjenda e futbollit francez, Zinedine Zidane, i cili ka luajtur te Juventusi dhe te Real Madridi, ka thënë se në edicionin e ri të Ligës së Kampionëve do të jetë përkrahës i Realit. Në fakt, Reali dhe Juventusi janë përfshirë në të njëjtin grup në Ligën e Kampionëve, së bashku me Zenitin dhe Bate Borisowin. "Ndeshja ndërmjet Realit dhe Juventusit do të jetë shumë e fortë. Unë kam luajtur në Torino dhe në Madrid. Do ta shikoj këtë ndeshje me vëmendje të madhe, por do të jem përkrahës i Realit, edhe pse një kohë të gjatë e kam kaluar në Torino", ka pohuar Zidane për të përditshmen italiane "La Stampa". "Juventusi është një klub me histori të madhe dhe ndër klubet më prestigjioze. Jam i lumtur që ky klub është rikthyer sërish në Ligën e Kampionëve dhe mendoj se kjo do të jetë një gjë e mirë për vetë futbollin evropian. Mendoj se bardhezinjtë do të mund të kenë një ecuri të mirë në edicionin e sivjetmë në Ligën e Kampionëve, pasi në radhët e veta ka lojtarë kampionë dhe ata do t'i shërbejnë për të arritur te suksesi. Megjithatë, favoriti im mbetet Reali dhe jam i bindur se madrilenët do të ngrejnë trofeun në Romë", ka përfunduar Zidane, i cili u transferua te Juventusi në vitin 1996 nga Bordaux dhe luajti plotë pesë vjet, për të kaluar më pas te Real Madridi për një shifër rekorde të asaj kohe, 52 milionë funta.