26 gusht 2008

Çelsi, vitin e ardhshëm 90 milionë euro për Kaka


Çelsi duket gjithmonë e më shumë si një skuadër alla-braziliane. Trajneri Luis Felipe Skolari dëshiron që kontingjentit të yjeve t‘i shtojë edhe dy lojtarët e përfaqësueses amerikano-latine: objektivi kryesor në merkato mbetet Robinjo, ndërsa për vitin e ardhshëm shpresohet afrimi i Kaka. Nga ana e tij, pronari Roman Abramoviç, është shprehur i gatshëm të bëjë të pamundurën që ta kënaqë. Ndërkohë që për lojtarin e Realit të Madridit transferimi duket fare pranë, manjati rus ka përgatitur 90 milionë euro për mesfushorin e Milanit. Epoka e Skolarit sapo ka filluar (dy ndeshje të suksesshme në Premiership) dhe blutë duken të destinuar të "luajnë" nën ritmin samba. Tekniku brazilian synon të marrë nga Abramoviç "ajkën" e futbollistëve të vendit të tij. Por, nëse telenovela e Robinjos mund të mbyllet në favor të klubit anglez, zërat e merkatos që flasin për afrimin e Kaka në "Stemford Brixh" duken të destinuara të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm. Sipas së përditshmes "Daily Star", në vitin 2009, Roman Abramoviç synon të paguajë 90 milionë euro në arkat e Milanit. Kjo hipotezë konfirmohet nga transferimi i Andrij Shevçenkos në "San Siro", që duket se përmirësoi marrëdhëniet ndërmjet klubeve. Tabloidi shkon edhe më tej, duke spekuluar se largimi i Kakasë mund të shtyhet edhe nga blerja e Ronaldinjos. Gazeta e së dielës citonte se ndërmjet dy yjeve të kombëtares braziliane ekziston një rivalitet për rolin e liderit në skuadrën e Ançelotit dhe në fund të sezonit të ardhshëm, njëri prej tyre mund të jetë i tepërt. Tashmë mbetet për të parë vetëm nëse superoferta e Çelsit do të mjaftojë për të bindur drejtuesit e Milanit, të cilët e kanë cilësuar mesfushorin "të pashitshëm".Robinjo - Rikthimi i vëmendjes te Kaka erdhi mbi të gjitha pas episodeve të fundjavës në "Santiago Bernabeu", që lidhen me brazilianin Robinjo. Lojtari i pagoi shtrenjtë deklaratat se dëshironte të largohej, pikërisht në natën kur "merengues" fituan Superkupën e Spanjës. Robson de Souza, i njohur ndryshe si "O rei do dribble" (mbreti i driblimeve), përveç qëndrimit në stolin e rezervave, është përballur edhe me zemërimin e tifozëve. Publiku "blanko" njihet për faktin se nuk i toleron kampionët që tregojnë pak respekt për fanellën e për minuta me radhë ata kanë thirrur "mercenar zhduku!". Gjithsesi, bisedimet ndërmjet Çelsit dhe Realit janë të ngrira: londinezët janë të gatshëm të paguajnë 40 milionë euro, ndërsa klubi i Kalderon pretendon 50. Presidenti i gjigantëve spanjollë pohoi se klubi nuk do ta shesë lojtarin dhe kalimi në Angli mund të realizohet vetëm nëse Robinjo synon të ikë vetë. Kjo lëvizje pritet t‘i kushtojë jo pak brazilianit që në tre vite me Realin ka luajtur 101 ndeshje dhe shënuar 25 gola.