29 gusht 2008

Nedvedi inatoset, Ranieri e fal


Çeku goditi një kanoçe, kur u zëvendësua, por Juvja e zhdramatizoi. Presidenti Cobolli tha se “Zonja” u kthye në shtëpi. Të parin e kanë kurorëzuar në vitin 1563. Ai quhej Masksimilian, dhe u bë mbreti i Hungarisë. Më pas e pati radhën Leopoldi i parë, Jozefi i parë dhe Mari Tereza, të gjithë me kurorën në kokë, në Katedralen e Shën Martinit, në Bratisllavë. Sipas rendit kohor, këtë herë kurora përfundoi mbi kokën e Amauri Carvalho de Oliveiras. Duhej të kishte qenë mbrëmja e tij, dhe ashtu ndodhi. Sa për detaje: Katedralja e Shën Martinit është një mrekulli, ndërsa stadiumi “Tehelne Pole” ishte i dorës së dytë, por për momentin është mirë edhe aq. Amauri u nis për në Europë dhe bëri me fanellën e Juves atë që kishte bërë edhe me fanellën e Chievos: shënoi menjëherë, pas 25 minutash.MË MIRË FODREK - Në këtë mënyrë, ai e rivendosi ekuilibrin pas një pjese të parë të mërzitshme, e cila u zbukurua disi nga goli i jashtëzakonshëm i Fodrekut. “Mbase rezultati i takimit të parë na bëri të luanin nën tonus, - shpjegoi Ranieri. - Megjithatë, ndihem i kënaqur, sidomos nga mesfusha. Dyshja Poulsen-Marchisio më bindi.” Përfundoi 1-1 goli i Amaurit; mbase nuk ishte edhe aq spektakolar, megjithatë, prapë gol ishte. Për të ishte i pari në ndeshje zyrtare me Juventusin. Braziliani nuk e pati të vështirë të buzëqeshte, madje i dhuroi një buzëqeshje edhe Iakuintës: “Me Vincencon u kuptova shumë mirë në fushë. Tani Ranieri e di se mund të ketë besim te ne”. Në këtë mënyrë, ai tregoi se klubi i ka shpenzuar mirë 22,8 milionë eurot që investoi për ta rrëmbyer nga konkurrenca e Milanit. Bardhezinjtë tani kanë edhe një tjetër “mbret”, i cili do ta ndajë fronin me Del Pieron, Trezeguet dhe Iaquintën, duke krijuar disa probleme bollëku, të cilat në të vërtetë nuk janë aspak probleme. INATI I NEDVEDIT - Ndërkohë, mendime krejt të kundërta do të jenë bluar në kokën e Nedvedit. Çeku, pasi e shleu pezullimin, u kthye në Europë. Sikurse dihet, Championsi është objektivi, me të cilin ai synon ta mbyllë karrierën e tij të jashtëzakonshme. Mbase për këtë arsye, kur Giovinco zuri vendin e tij në fushë, ai goditi me shkelm një kanoçe me ujë pranë stolit. Por më pas ai u ul në stol dhe priti që të mbaronte ndeshja. Disa kampionë kështu janë: nuk duan të dorëzohen kurrë. Tani Juvja është kthyer me të vërtetë në Champions dhe ai do të ketë mundësi për ta korrigjuar veten. Në fakt, Ranieri i ra shkurt: “Besoj vetëm se donte të qëndronte pak më shumë në fushë; është shenjë force, por unë duhet t’i bëj llogaritë me kampionatin. Të dielën do të shkojmë në Firence…”. Më pas trajneri shtoi: “Dua t’i përgëzoj të gjithë, gardën e vjetër, por edhe Deshampsin, i cili e ringjiti menjëherë këtë skuadër në Serinë A”. Pra, në normalitet, sikurse thekson edhe presidenti Cobolli Gigli: “Po, tani jemi në Champions! Është kjo shtëpia e Juventusit!”.NDESHJA NË FIRENCE - Mbrëmja u mbyll me kaq: iu dha lamtumira Bratisllavës, kryeqytetit të Sllovakisë, vendit të grabitur për shekuj me radhë nga mbretëritë e Europës Qendrore. Atje, në mesin e dytë të viteve 1400, mbreti Matia Korvino themeloi universitetin e parë hungarez. Nuk dihet nëse ai ka ndonjë lidhje gjaku me Pantaleo Korvinon, drejtorin sportiv aktual të Fiorentinës, por nuk i dihet asnjëherë, sikurse thotë Amauri: “Ndaj Fiorentinës kam luajtur gjithnjë mirë dhe kam shënuar golin që më bëri pak të njohur për të gjithë. Dakord, do të vendosë trajneri, por unë shpresoj të luaj. Përsee Unë di se Juvja është shansi më i madh i jetës time, dhe dua të shënoj çdo të diel”. Ky mund të jetë një sinjal. Fiorentina është paralajmëruar: të dielën do të ketë një “mbret” brazilin, i cili do të kërkojë edhe një tjetër kurorë.