27 gusht 2008

Një serb kundër Ervin Skelës, mesfusha kthehet në “zonë lufte”


Një serb kundër Ervin Skelës te Energi Kotbusi. Dhe luajnë të dy të njëjtin rol. Atë të “plejmejkërit”. Edhe pse për trajnerin e Kotbusit, sllovenin Bojan Prasnikar, bëhet fjalë vetëm për një eksperiment. Dushan Vasiljeviç ishte në fakt njeriu që tërhoqi më shumë vëmendjen në ndeshjen e fundit të Energisë në transfertën e mbyllur në barazim 0-0 me Hanoverin e Altin Lalës. Trajneri e kishte vendosur pikërisht në vendin e Ervin Skelës, i cili dy ditë më parë kishte luajtur për Shqipërinë në ndeshjen kundër Lihteshtejnit (2-0). Mediat lokale gjermanen të afërta me Energi Kotbus (“Lausittzer Rundschau”)e cilësuan atë një eksperiment interesant. “Në këtë pozicion unë kam luajtur gjithmonë në Jugosllavi e Hungari, thuajse gjithë kohën time të futbollit”, - thotë serbi i kënaqur nga loja e tij. Në fakt, serbi është prej tetë muajsh “hija e Skelës” në zonën më të bukur të mesfushës, atje ku futbolli kthehet në art. 26-vjeçari Vasiljeviç mbërriti te Energi gjatë merkatos së janarit nga klubi hungarez Rakoshi Kaposvar, por kaloi gjashtë muaj të vështirë te Energi Kotbus, duke luajtur në 12 ndeshje, vetëm dy herë nga minuta e parë. Në fazën e nxehtë të mbijetësës ishte Ervin Skela heroi i Energisë në ndeshjet e kthimit: shtatë gola dhe gjashtë asistë e dhanë shqiptarit qartësisht argumentet më të mira në favor të tij. Gjithsesi, kur Skela hyri në pjesën e dytë në ndeshjen e së premtes së kaluar kundër Hanoverit (0-0), serbi i hapë rrugë shqiptarit, duke u zhvendosur në krahun e majtë, ndërkohë që Ervini morri rolin e dirigjentit në barazimin e bukur, pas asaj humbje shkatërruese 0-3 me Hofenheimmin në shtëpi. Vetë trajneri Prasnikar e vlerëson serbin për anën luftarake të lojës së tij, por nuk e krahason kurrë me virtuozitetin e Skelës. Cilësi për të cilën shqiptari vlerësohet edhe si një nga më të mirët në Bundesligë. Teksa sezonin e kaluar ishte mesfushori i vetëm me 34 ndeshje të plota dhe i pesti lojtari i Bundesligës për minutat e luajtura. Gjithsesi, për 31-vjeçarin Skela te Energi Kotbus ndodhet një “armik” më shumë, për më tepër që vjen nga një vend si Serbia.