28 gusht 2008

Juve përgatit marrëveshjen për Appiah


Agjenti i Stephen Appiah ka njoftuar se Juventusi është duke përgatitur marrëveshjen për ta risjellë në Torino ganezin.Aktualisht Appiah është transfero i lirë, pasi javën e kaluar ka biseduar për largimin e tij me drejtuesit e skuadrës ku ka qëndruar tre vitet e fundit, Fenerbahce. Mesfushori ka thënë publikisht se është ëndërr e tij që t’i ribashkohet Zonjës së Vjetër, ndërkohë që edhe Juventus është në kërkim të një mesfushori defansiv para se të përfundojë afati kalimtar me 1 shtator. “Dëshirojmë që gjërat të zgjidhen sa më shpejtë që është e mundur dhe të nënshkruhet marrëveshja para të hënës. Ne kemi marrë oferta serioze nga Racing Santander dhe Portsmouth, ndërkohë që kemi telefonata të vazhdueshme nga West Ham, Celtic dhe Everton”. “Ne nuk ngutemi, por Juve duhet të vendosë më shpejt. Si do që të jetë ata po punojnë për një zgjidhje, ndërsa ne do të presim pasi që djaloshi ka dëshirë të madhe të luajë për Zonjën e Vjetër”, ka thënë agjenti i ganezit, Frank Trimboli.