27 gusht 2008

Galiani: “Tani Ançeloti duhet të fitosh titullin”


Me afrimin e Filip Senderos, Milani mbylli fushatën e blerjeve dhe entuziazmi në shtëpinë kuqezi është rritur ndjeshëm. Administratori i deleguar Galiani kërkon të karikojë e të motivojë së pari trajnerin e tij, Ançelotin. “Besoj se Karlo duhet të jetë shumë i kënaqur me merkaton, tani është radha e atij të mos dështojë. Duhet të fitojë titullin. Është një mesazh për lundërtarin”. Zëvendësi i Berluskonit e thotë qartë: “Është një skuadër për titull dhe trajneri ynë e di. Kjo nuk do të thot se dhe nuk mund të humbasë, por sigurisht që duhet të luftojë deri në javën e fundit”. Galiani flet edhe për çështjen “Shevçenko”: “Nuk është folur kurrë për një transferim të Kakasë, kështu që tifozët duhet të rinë të qetë, po bëhen dy vjet që e përsërisim të njëjtën gjë. Përsa i përket largimeve, i vetmi që do të lërë skuadrën është Paloski, Borriele nuk lëviz”. Në lidhje me të ardhmen e Masimo Odos, për të cilin ka një ofertë nga ana e Lionit, çështja duket ende e mjegullt. “Ka një ofertë nga ana e francezëve, - pranoi Galiani, - por as ai dhe as klubi nuk ka marrë ende asnjë vendim”. Senderos nuk do të jetë i gatshëm për ditën e parë të kampionatit. “Ka një problem të vogël me shpinën dhe nuk do të jetë i gatshëm vetëm për disa ditë”.