31 gusht 2008

Milan humbet në shtëpi, Roma barazon


Skuadra e Milanit pavarësisht përforcimeve që ka bërë në sezonin e ri, ka pësuar humbje në midis San Siros nga skuadra e porsainkuadruar në Serie A, Bologna, me rezultat 1-2.Kuqezinjtë kanë udhëhequr lojën gjatë gjithë ndeshjes, mirëpo pasimet e lojtarit më të mirë në ndeshje, Ronaldinho, nuk u shfrytëzuan nga Inzaghi dhe Shevchenko, i cili u inkuadrua në pjesën e dytë. Të parët në epërsi kaluan mysafirët nga Bologna me anë të Di Vaios (18’), ndërsa pa përfunduar pjesa e parë (41’), mesfushori i Milanit, Ambrosini, barazoi rezultatin duke bërë që skuadrat të shkojnë në pushim me rezultat të barabartë, 1-1. Pjesa e dytë ishte sikurse e para, me raste të shumta të krijuara nga transferi i ri i Milanit, Ronaldinho, mirëpo sulmuesit kuqezi nuk arrinin të shënonin në portën kundërshtare. Ndërsa si gjithmonë në futboll nëse nuk shënon, pëson. Valiani në minutën 79 shënoi golin e dytë në ndeshje për bolonjezët, dhe me këto rezultat (2-1) përfundoi takimi me fitore të mysafirëve. Skuadra tjetër pretendente për Scudetto, Roma, ka barazuar në Stadio Olimpico me rezultat 1-1 kundër Napolit, me golat e Aquilanit (29’) për kryeqytetasit dhe Hamsik (55’) për napolitanët. Ekipi tjetër nga kryeqyteti italian, Lazio, ka shënuar fitore të thellë 4-1 në udhëtim kundër Cagliarit. Atalanta dhe Catania kanë shënuar fitore minimale, 1-0, në shtëpi kundër Sienas dhe Genoas, respektivisht. Chievo, e rikthyer në elitën e futbollit italian, e ka mposhtur Regginan me rezultat 2-1, ndërsa Torino ka fituar kundër skuadrës tjetër të inkuadruar në Serie A, Lecces me rezultat 3-0. Takimi i fundit i këtij fillimsezoni të Serie A, që konsiderohet edhe si derbi i javës së parë, do të zhvillohet në orën 20:30 ndërmjet Fiorentinës dhe Juventusit.