27 gusht 2008

Ronaldinjo i kërkon martesë, futbollistja suedeze e refuzon


Ronaldinjo i dashuruar me një suedeze, i kërkon të martohet, por ajo i thotë “Jo, faliminderit”. Tam për një skenar filmi hollivudian. Fantazisti brazilian gjatë Lojërave Olimpike të Kinës, jo vetëm që ishte kapiteni i “Seleçaos”, por ra brenda edhe me një futbolliste të përfaqësueses olimpike të Suedisë, Johana Almgren. Aq sa, sipas faqes suedese “Local”, Dinjo i dashuruar me shikim të parë me futbollisten i ka kërkuar asaj edhe dorën për t’u martuar, por pa mundur të marrë miratimin e saj, edhe për faktin se nuk janë marrë vesh gjatë komunikimit. Kombëtarja e Brazilit dhe ajo suedeze e futbollit për femra ndodheshin në të njëjtin hotel gjatë Lojërave, ku lindi edhe shkëndija e parë midis tyre. Almgeren, futbollistja bukuroshe suedeze tregon episodin: “Ishim në radhë për autografe. Ronaldinjo i injoroi të gjithë kinezët dhe erdhi drejt meje, më vështroi drejt e në sy, më mori dorën e ma puthi. Për pak sa nuk vdiqa”. Johana vazhdon: “Në fillim mendova se bëhej fjalë vetëm për një shaka, por pak nga pak kuptova se qëllimet e Ronaldinjos ishin serioze”. Me një anglishte të çalë dhe me ndihmën e një përkthyesi ish-ylli i Barcelonës i zyrtarizoi kërkesën Almgrenit për t’u martuar: “Ai nuk fliste anglisht, spanjishtja dhe portugalishtja ime ishin të tmerrshme, kështu që praktikisht folëm me gjeste. Në një farë pike përkthyesi, - tregon më tej futbollistja, - më tha se Ronaldinjo dëshironte të dinte nëse unë dëshiroja të martohesha me të. Isha nën shok, dhe iu përgjigja menjëherë jo”. Zhgënjim për Ronin, megjithatë aspak keq për Almgrenin, e cila nuk u ndje aspak e penduar me përgjigjen e dhënë. “Kam Adamin tim dhe më pret në shtëpi. Edhe pse ata kërkuan të më qetësonin pas tregimit tim për takimin me brazilianët”.