09 shkurt 2011

Saki: "Problemet e Juventusit? I mungon regjisori në mesfushë"


Është një Arrigo Saki në ekstazë, ai që komenton në mënyrë entuziaste dhe për njëherë të vetme pa rezervat e tija klasike mbi gabimet tekniko-taktike që janë kryer nga trajnerë dhe lojtarë, ndeshjen e madhe që është zhvilluar të dielën në mbrëmje në San Siro.

"Inter-Roma ka qenë në pjesën më të madhe ndeshja më e bukur dhe më emocionuese e kampionatit, shkruan ish-trajneri i Italisë në 'Gazzetta dello Sport'. Një spektakël korrekt, i bukur dhe shumë emocionues, një gjë jo e zakonshme që ka ekzaltuar të gjithë njerëzit që dashurojnë futbollin e bukur. Me një spektakël të tillë në fushën e lojës nga të dyja skuadrat asnjë nuk del i humbur me përjashtim të mërzisë dhe dhunës.

Zikaltërit kanë treguar se kanë rigjetur formën më të mirë dhe entuziazmin, fondamentale për t'i dhënë një sens lojës dhe cilësive që ata kanë". Arrigo Saki, si një trajner që ka dhuruar gjithmonë futboll të bukur në skuadrat ku ka drejtuar, nuk ka munguar t'i japë më pas ndonjë sugjerim trajnerit Leonardo, për të përmirësuar një makinë që duket tashmë e lançuar drejt sfidave të mëdha:

"Tashmë Leonardo që është duke kryer një punë të mirë duhet ta lidhë akoma më shumë skuadrën nga brenda. Ndërmjet reparteve nuk duhet të ketë shumë hapësirë, duhet të jenë pranë, në mënyrë që të lejojnë, fazën mbrojtëse, të jetë më bashkëpunuese dhe të kryejë më shumë presing dhe, në fazën sulmuese, të përdoren ndeshje pas ndeshje të gjithë. Objektivi i Leonardos dhe i zikaltërve duhet të jetë ai për të fituar dhe për të jetuar me kënaqësinë e Masimo Moratit dhe të gjithë atyre njerëzve që dashurojnë futbollin e bukur".

Vlerësime të mëdha kanë mbërritur edhe për Juventusin, por me një rezervë të madhe përsa i përket organikës bardhezi: "Ekziston shpresa që për Juventusin tashmë kanë përfunduar kohët e vështira dhe plot probleme. Bardhezinjtë kanë fituar në Kaljari, por përtej kësaj fitoreje në ndeshjen e fundit, kanë dhënë përshtypjen se kanë rigjetur lojën që kishte humbur dhe munguar në shumë ndeshje. Problemet nuk janë zhdukur përfundimisht, por tashmë është gjetur një rrugëdalje ku duhet të ecet.

Blerjet e Barzaljit dhe Matrit kanë sjellë cilësi teknike dhe entuziasëm të madh në skuadër, gjë që dallohet fare lehtë. Falë edhe punës së Del Nerit mbrojtja me kalimin e kohës do të vazhdojë të përmirësohet akoma më shumë. Ndërkohë që, për sulmin Xhixhi do të gjejë sigurisht sistemin e lojës më të vlefshëm për të vënë në pah maksimalisht karakteristikat e lojtarëve. Më e komplikuar do të jetë të kthehen në organikë dhe funksionale një mesfushë që pavarësisht se me lojtarë të mirë, ndjen shumë mungesën e një regjisori të vërtetë. Loja krijohet në mesfushë dhe është ai problemi më i madh i Juventusit…". *
LajmeNews ne GrandeJuve*